Konjufca: Nuk e kam asnjë dyshim në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të zonjës Kusari-Lila

  • E.K /
  • 06 June 2024 - 12:50
Konjufca: Nuk e kam asnjë dyshim në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të zonjës Kusari-Lila

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është pyetur mbi bisedën e shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiqin, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Sa i përket zonjës Kusari-Lila.. meqenëse po flas këtu si kryetari i Kuvendit, po flas për të si deputete dhe jo si anëtare e koalicionit… unë personalisht ju them se nuk e kam asnjë dyshim në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të zonjës Kusari-Lila. Pra, nuk kam asnjë dyshim për tradhti kombëtare apo çfarëdo të kësaj natyre. Mund ta quani ndoshta me ndonjë emër tjetër, mund ta quani një gabim, pakujdesi e saj. Por, sa i përket kësaj se çka më tregon mua kjo që është vetëm vazhdimësi dhe vazhdim i tjerrjes i një rasti që është publikuar para shtatë a tetë muajve, mendoj që është i njëjti rast ky, por që tash po publikohet në sekuenca qysh po i konvenon dikujt”.

Konjufca tha se për të përbën “inxhinierim” publikimi i këtyre bisedave dhe ai tha se për të kjo është më shqetësuese.

“Për mua është shumë më tronditës dhe më shqetësues ky inxhinierim që po ndodh sesa baza kombëtare ose sesa themeli kombëtar i zonjës Kusari-Lila. Ju e dini që zoti Radojiçiq e ka përjetuar humbjen më të madhe në Kosovë këto dy vitet e fundit. Ai ka humbur gjithçka që ka pasë në Kosovë dhe kjo për shkak të vendosmërisë së Qeverisë për t’i shpërbë dhe shpartalluar të gjitha strukturat e tij kriminale, duke përfshirë edhe pronat milionëshe që i ka humbur. Tash Radoiçiqi si kriminel, terrorist po do që ta vazhdojë këtë betejë në këtë mënyrë. Si në formë hakmarrëse me zbehë legjitimitetin e intervenimit të Qeverisë në atë pjesë. Më shumë shqetësuese është kjo pjesa tjetër sesa që ka dyshim që diçka që bën Kusari-Lila”.

(Kosova Sot Online)