Ja qëndrimet e kandidatëve për president mbi çështjet kyçe

  • A.P /
  • 25 June 2024 - 21:51
Ja qëndrimet e kandidatëve për president mbi çështjet kyçe

Një Rusi agresive, një Kinë që e ndjen veten më të fortë, një Lindje e Mesme në konflikt dhe marrëdhëniet e brishta në rang botëror, të nevojshme për të përballuar këto sfida, janë çështje kryesore të politikës së jashtme që as presidenti Joe Biden dhe as ish-presidenti Donald Trump nuk i anashkalojnë dot, pavarësisht se kush prej tyre do të fitojë zgjedhjet e nëntorit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ndërsa pritet që të enjten të zhvillojnë debatin presidencial, ka të ngjarë qe ata të të japin një ide të përgjithshme mbi rolin që duan të luajnë Shtetet e Bashkuara në skenën botërore.

Dallimet mes tyre janë tejet të thella, thotë Jeremi Suri, profesor i historisë në Universitetin e Teksasit në Austin.

“Qasja e zotit Biden është një ndërthurje e internacionalizmit liberal dhe realizmit të sforcuar, që i bën jehonë Luftës së Ftohtë”, tha ai. “Qasja e zotit Trump është ndërthurje e izolacionizmit bazuara në politika që nuk synojnë përfshirjen e vendeve të tjera, përsëritje e qasjes së Shteteve të Bashkuara para Luftës së Dytë Botërore”.

Ja si i shohin kandidatët presidencialë çështjet e nxehta të politikës së jashtme.

Agresioni rus

Administrata e zotit Biden paralajmëroi rrezikun përpara se Rusia të niste agresionin ndah Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe është zotuar ta mbështesë Kievin “për aq kohë sa do të jetë e nevojshme”. Por kjo mbështetje u lëkund këtë vit, kur republikanët në Kongres bllokuan për gjashtë muaj në një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Kievin.

Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet në korrik në Uashington zoti Biden do të kërkojë të forcojë mbështetjen e aleatëve për mbrojtjen e Kievit, ndërkohë që do t’ua kalojë aleatëve në Evropë, detyrat që lidhen me koordinimin për Ukrainën, lëvizje që shihen si përpjekje për ta mbajtur larg konfliktin nga një Kongres amerikan, që mund të mos jetë mbështetës apo nga presidenti i ardhshëm.

Pikëpamja e zotit Trump për konfliktin është e ndërlikuar, kontradiktore dhe e diktuar nga përvoja e tij me udhëheqësin ukrainas. Kjo sepse, ishte një telefonatë e tij në korrikut 2019 me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy që shkaktoi përpjekjen e parë për shkarkimin e tij nga detyra.

Senati, ku shumicën e kishin republikanët e shpalli të pafajshëm zotin Trump mbi akuzat se kërkoi ndihmë në mënyrë të paligjshme nga një fuqi e huaj me qëllim që të rriste shanset për t’u rizgjedhur, duke i kërkuar zotit Zelenskyy ta ndihmonte atë të diskreditonte politikisht zotin Biden.

Lidhur me luftën, zoti Trump tha së fundmi në një intervistë se “do ta zgjidhë (çështjen e luftës) përpara se të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë”.

“Ajo luftë duhet të marrë fund”, shtoi ai.

Analistët thonë se zoti Trump nuk e ka bërë të qartë qëndrimin e tij deri tani.

“Ai përkrahu vetëm nevojën për të filluar disa lloje bisedimesh dhe negociatash dhe tha se mund të ishte i gatshëm të angazhohej në këto negociata ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit Zelenskyy, por ai kurrë nuk specifikoi se cilat do të ishin hapat realë për këtë marrëveshje paqeje”, shprehet Sergiy Kudelia, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Baylor.

Presidenti Biden e siguroi së fundmi homologun Zelenskyy se marrëveshja e re dypalëshe 10-vjeçare në fushën e sigurisë që ata firmosën shërben si “një tjetër kujtesë për presidentin Putin se “ne nuk po tërhiqemi. Përkundrazi, po qëndrojmë krah më krah kundër këtij agresioni të paligjshëm”.

Por ky qëndrim i ashpër nuk kufizohet vetëm tek zoti Biden, thonë analistët.

“Ne e dimë se zoti Trump e percepton veten si një njeri të fortë dhe nuk dëshiron që emri i tij të lidhet me dështimin në fushën e politikës së jashtme”, tha për Zërin e Amerikës ish-ambasadori i SHBA-ve në Ukrainë, John Herbst. “Dhe një fitore e Rusisë në Ukrainë, nëse President do të jetë zoti Trump, do të dukej vërtet si një dështim në politikës së jashtme”.

Ambicia e Kinës

Qëndrimi i përsëritur i zotit Biden lidhur me Pekinin është “konkurrencë, jo konflikt” dhe përdorimi i kartës së ekonomisë është e preferuara e Uashingtonit në këtë “lojë” me ndikim të lartë. Kjo duket se lidhet me atë që është përparësi për shumicën e votuesve amerikanë, ekonominë.

Në maj, Presidenti Biden theksoi rreziqet që sipas tij paraqet Kina, duke vendosur tarifa të larta për automjetet elektrike kineze, bateritë, çelikun, aluminin dhe pajisjet mjekësore.

“Punëtorët amerikanë mund të punojnë më shumë se kushdo dhe të konkurojnë këdo për sa kohë që konkurrenca është e drejtë”, tha zoti Biden. “Por për një kohë të gjatë kjo konkurencë nuk ka qenë e drejtë. Për vite me radhë, qeveria kineze ka mbështetur me paratë e shtetit kompanitë kineze. … Kjo nuk është konkurrencë, është konkurencë e pandershme”, tha ai.

Dhe zoti Trump, një adhurues i vetëshpallur i tarifave, kohët e fundit propozoi një tarifë për të gjitha mallrat e importuara dhe një tarifë tjetër prej 60 për qind ose më shumë për importet kineze.

Sa i përket Kinës, sipas profesorit Konstantin Sonin nga universiteti i Çikagos, kandidatët janë agresivë. Zoti Biden, sipas tij, nuk ka ndryshuar shumë nga tarifat e ashpra që u vendosën ndaj Kinës gjatë administratës së zotit Trump.

“Tetë vjet më parë, dukej sikur ai do të ishte një president ndryshe”, tha ai duke iu referuar zotit Trump. “Por në fakt, ai nuk ishte aq i ndryshëm. Dhe shumë gjëra që bëri zoti Trump u vazhduan më pas nga administrata e Presidentit Biden.”

Por sa i përket Tajvanit, për çka Uashingtoni refuzon të shprehet qartë se si do të reagonte nëse Pekini do të kryente sulm ndaj tij, qasja do të ishte e ndryshme, varësisht se kush prej tyre është President, thotë zoti Sonin. “Mendoj se ata vazhdojnë të jenë president të ndryshëm. Për shembull nëse ka përshkallëzim rreth Tajavanit, atëherë ndoshta zoti Trump do të reagente ndryshe”.

“Megjithatë, kur vjen fjala për politikën e jashtme, retorika e tij është më e ashpër se veprat. Kjo është e vërtet në raport me Kinën, jo vetëm me Kinën, por edhe me Meksikën”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)