Kë arrestoi Serbia: As Plenkoviqi nuk di asgjë për spiunin kroat
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha të martën se askush nuk di asgjë për spiunin e dyshuar kroat të arrestuar në Serbi dhe dënoi “ngacmimet” e këngëtares kroate Severina Vuçkoviç në kufirin me atë vend.
Të hënën mediat serbe bënë të ditur se autoritetet në zonën e Beogradit kanë arrestuar një “spiun kroat”, gjë që më pas e ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.
“Kemi kontrolluar, ambasadori është këtu, ai nuk di asgjë, ministri nuk di asgjë, Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës nuk di asgjë, askush nuk di asgjë, kështu që ne ende kërkojmë emrin dhe mbiemrin. ”, u tha Plenkoviç gazetarëve të martën.
Ministria Kroate e Punëve të Jashtme dhe Evropiane njoftoi gjithashtu të hënën se nuk ka njohuri për ngjarjen apo nëse ajo “ka ndodhur me të vërtetë”.
“Ne e pamë lajmin se ka një spiun, por askush nuk e di se kush është spiuni. Ne nuk e kemi idenë se çfarë duan me atë operacion, as nuk është diçka veçanërisht e rëndësishme,” tha Plenkovic.
Ai dënoi veprimet e autoriteteve serbe, të cilët e ndaluan Severinën të dielën në kufi për disa orë dhe e morën në pyetje për tema të ndryshme politike, pas së cilës ajo u kthye në Kroaci.
“Ajo që më shqetësoi realisht edhe si kryeministër edhe si njeri ishte ky bullizëm i zonjës Vuçkoviq në kufi. Mendoj se ishte krejtësisht i panevojshëm dhe diskriminues dhe më vjen keq që i ka ndodhur asaj dhe është absolutisht e dënueshme. ”, tha ai.
Të hënën, Severina tha se pasi e ndaloi, policia kufitare fillimisht e detyruan të priste në makinën e saj për disa orë, pastaj e kontrolluan automjetin e saj për 45 minuta dhe më pas e morën për t’u marrë në pyetje për tema të tilla si gjenocidi në Srebrenicë, Kampi i ustashëve në Jasenovac, mbështetja e saj për protestën kundër litisë minerare në Serbi, presidenti i parë kroat Franjo Tuxhman dhe Operacioni Stuhia, kujton Hina.
(Kosova Sot Online)