Djali i Shkurte Fejzës, Arbëri i bashkohet PDK-së dhe i futet garës për deputet
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot ka njoftuar se partisë i është bashkuar diplomati Arbër Behluli, djali i këngëtares së njohur Shkurte Fejza dhe Hajrush Behlulit dhe nipi i heroit Azem Behluli, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Krasniqi ka uruar mirëseardhje Arbër Behlulit dhe ka njoftuar se ai do të jetë kandidat i PDK-së për deputet. Ai ka theksuar se Arbëri ka një master në politikat e Bashkimit Evropian dhe ka ndërtuar një karrierë të suksesshme si ligjërues universitar dhe zyrtar i lartë në institucionet shtetërore. Krasniqi theksoi se Arbëri është i gatshëm për të përballuar sfidën e re dhe se ekspertiza dhe vizioni i tij janë arsyet e një zgjedhjeje të jashtëzakonshme për këtë rol.
Në anën tjetër, Behluli ka shprehur angazhimin e tij si deputet, duke theksuar se do të punojë për lidhjen e brezave dhe krijimin e mundësive për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai u shpreh se çdo hap që ka bërë deri tani, nga rritja në një familje ku atdhedashuria është një vlerë e pazëvendësueshme, deri te shërbimi në institucionet e shtetit, e ka përgatitur për këtë detyrë. Ai po ashtu theksoi se do të kontribuojë në krijimin e politikave që adresojnë sfidat reale të Kosovës, sidomos në diplomaci.
(Kosova Sot Online)