
Abdixhiku: S’mund të sillesh në emër të popullit me rezultatin e para 4 viteve

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku prezantoi sot agjendën e Qeverisë së Unitetit, të cilën kjo parti synon ta formojë së bashku me të gjitha partitë tjera parlamentare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai tha në një konferencë për media se LVV-ja po e merr për bazë ende rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021.
“Nuk mund të kesh qeveri që sillet në emër të popullit me rezultatin e para 4 viteve. Ashtu edhe partitë tjera le të sillen me rezultatin e para 15 viteve”, tha ai.
Abdixhiku tha se “ne kemi krizë legjitimiteti në qeveri”.
“Ka një vullnet ndryshe të popullit të Kosovës. Populli i Kosovës mendon ndryshe pas zgjedhjeve të fundit të 9 shkurtit. Pra, ne duhet ta reflektojmë vullnetin e këtij populli. Nuk po mund ta bëjmë një shumicë, për faktin e thjeshtë: sepse duam shumicë me 61 vota nga një Parlament me 110 vota. Të gjitha partitë politike e kanë refuzuar Listën Serbe. Pra, na duhet 61 votëshi nga 110 votëshi dhe kjo e bën më të pamundur shumicën, e bën shumë të mundur krizën dhe e bën të domosdoshëm tani propozimin e tillë”, tha ai.
Kryetari i LDK-së tha se “do të punojë” për ta shtyrë përpara këtë propozim, ndërsa shtoi se është i gatshëm edhe të dëgjojë propozime të tjera.
(Kosova Sot Online)