
Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Igor Popoviqit

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë’’ në Serbi, për “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“I pandehuri I.P. akuzohet se me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, më datë 18.07.2025, rreth orës 12:00, në Rahovec.”
Sipas aktakuzës “I.P. ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…””.
Në njoftim thuhet se i pandehuri e ka pranuar fajësinë dhe Prokuroria do të dorëzojë edhe marrëveshje për pranim të fajësisë.
“Me këto veprime, I.P. akuzohet se ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, si dhe ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë.”
(Kosova Sot Online)