Ursula von der Leyen: Garancitë e sigurisë janë thelbësore dhe të domosdoshme

  • A.P /
  • 01 September 2025 - 08:19
Ursula von der Leyen: Garancitë e sigurisë janë thelbësore dhe të domosdoshme

Aleatët evropianë të Kievit po punojnë mbi “plane shumë të sakta” për dislokimin e trupave në Ukrainë, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje midis Kievit dhe Moskës, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ajo shtoi se çdo iniciativë e tillë do të kishte mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, të cilat, gjatë vitit të kaluar, kanë ndryshuar qëndrime mbi përfshirjen e mundshme.

“Garancitë e sigurisë janë thelbësore dhe të domosdoshme. Kemi një plan të qartë dhe një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë… dhe kjo punë po ecën shumë mirë”, tha von der Leyen në një koment të publikuar në gazetën Financial Times.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi garanci të forta sigurie nga aleatët perëndimorë, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, si pjesë e çdo marrëveshjeje për armëpushim me rusët, të cilët, deri tani nuk kanë treguar interes për paqe.

Gjatë fundjavës, von der Leyen vizitoi shtetet e BE-së afër Rusisë, duke u fokusuar në rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe përgatitjen ushtarake.

Ajo tha se udhëheqësit evropianë po punojnë për një “vendosje shumëkombëshe të trupave” dhe për “mbështetje nga amerikanët”.

“Natyrisht, vendimi politik i çdo vendi është i nevojshëm, sepse dislokimi i trupave është një nga vendimet më të rëndësishme sovrane të një kombi”.

“Por, urgjenca është shumë e lartë… po ecet përpara dhe po merr formë konkrete”, tha von de Leyen.

“Presidenti [Donald] Trump na ka siguruar se do të ketë një prani amerikane – si pjesë e mbështetjes. Kjo ka qenë shumë e qartë dhe është konfirmuar disa herë”, shtoi ajo.

Udhëheqësit evropianë kanë folur për mundësinë e dërgimit të dhjetëra mijëra trupave në Ukrainë, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje.

Sipas raportimeve, forcat amerikane do të siguronin komandën dhe kontrollin, inteligjencën dhe pajisjet për mbikëqyrje, por jo trupat tokësore.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka ftuar udhëheqësit evropianë në Paris më 4 shtator, për të zhvilluar bisedime të nivelit të lartë, raportoi Financial Times, duke cituar tri burime diplomatike.

Mes të ftuarve pritet të jenë kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri britanik, Keir Starmer, kreu i NATO-s, Mark Rutte, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Merz, në një intervistë për transmetuesin gjerman, ZDF, paralajmëroi se lufta mund të zgjasë edhe për një kohë të gjatë, por përfundimi i saj në kurriz të Ukrainës “nuk është opsion”.

“Po përpiqemi ta përfundojmë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, sigurisht, jo me çmimin e kapitullimit të Ukrainës. Lufta mund të përfundonte edhe nesër, nëse Ukraina do të dorëzohej dhe do të humbiste pavarësinë e saj”, tha Merz.

Trump e ka bërë përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila ka nisur me pushtimin e plotë rus në shkurt të vitit 2022, prioritet kryesor të administratës së tij.

Ai ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi me refuzimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për t’u takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe me vazhdimin e sulmeve sulme ajrore ruse kundër objektivave civile ukrainase.

“[Trump] dëshiron paqe, por Putin nuk vjen për të negociuar… Ai ka përvojë negative me Putinin; Putin nuk bën atë që thotë”, shtoi ajo.

Rusa vazhdoi sulmet e saj ajrore në Ukrainë edhe më 31 gusht, duke goditur objektivat energjetike në së paku dy rajone.

Në përgjigje, Zelensky tha se Ukraina do të vazhdojë ta mbrojë veten në territorin e saj dhe do të nisë sulme me rreze të gjatë ndaj objektivave në Rusi.

“Forcat dhe burimet janë të gatshme. Janë planifikuar edhe sulme të reja të thella”, shkroi Zelensky në X më 31 gusht, pasi mori raportin për situatën nga komandanti i përgjithshëm ukrainas, gjenerali Oleksandr Syrskiy. 

(Kosova Sot Online)