
Vuçkoviq: Lista Serbe është përgjegjëse për gjendjen e mjerueshme të serbëve në Kosovë

Përfaqësuesi i iniciativës qytetare “Koreni” dhe kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit, Ivan Vuçkoviq, ka akuzuar drejtpërdrejt Listën Serbe për situatën e rëndë në të cilën ndodhen sot serbët në veri të Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas tij, kjo parti për vite me radhë ka ndjekur politika të gabuara, ka shkatërruar unitetin e brendshëm dhe në fund ka braktisur qytetarët, duke i lënë pa përfaqësim dhe pa zgjidhje për problemet e tyre.
“Pasi u tërhoqën nga Kuvendi dhe institucionet komunale, e lanë popullin në mëshirë të fatit. Sot, kur situata është shumë më e rëndë, sërish kërkojnë votat e qytetarëve sikur të mos kenë asnjë përgjegjësi për këtë realitet,” tha ai.
Sipas tij, Lista Serbe nuk e ka përfaqësuar interesin real të qytetarëve, por ka ndjekur një linjë politike që ka çuar drejt përkeqësimit të kushteve të jetesës, pasigurisë dhe ikjes masive të serbëve nga Kosova.
“Lista Serbe është përgjegjëse për gjendjen e rëndë socio-ekonomike të komunitetit serb në Kosovë dhe se me largimin nga institucionet ka lënë pas një vakum të thellë institucional”.
Vuckoviq shtoi se qytetarët në veri janë sot më të varfër, më të pasigurt dhe më të pashpresë se kurrë më parë, dhe për këtë përgjegjësinë kryesore e mban Lista Serbe, e cila, sipas tij, për vite të tëra ka ushtruar kontroll të plotë dhe ka shtypur çdo mendim ndryshe.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, të cilat janë të parat që nga bojkoti i vitit 2023, në komunat me shumicë serbe në veri garojnë gjithsej 12 parti dhe iniciativa serbe me 21 kandidatë. Këto zgjedhje po shihen si mundësi për të thyer dominimin e një subjekti të vetëm dhe për të rikthyer pluralizmin politik në këtë pjesë të Kosovës.
Vuçkoviq thotë se situata në veri ka degraduar në atë pikë sa “ka mbetur një grusht njerëzish që luftojnë për mbijetesë”, dhe se është koha për ndryshim të mënyrës së të menduarit dhe të vepruarit.
Sipas tij, qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga premtimet e atyre që i lanë pas dore dhe tani kërkojnë një tjetër mandat. Ai thekson se ka ardhur momenti që në politikë të dëgjohet edhe zëri i arsyes dhe mendimit kritik, jo vetëm ai që për vite me radhë ka diktuar një drejtim të vetëm.
Pavarësisht se pjesa më e madhe e strukturave institucionale dhe financiare vazhdojnë të kontrollohen nga Lista Serbe dhe mbështetja që ajo merr nga Beogradi.
(Kosova Sot Online)