Fundi i turpshëm i dy mandateve të Shpend Ahmetit në krye të Prishtinës, para largimit nga objekti i komunës, e presin prangat në duar për ta dërguar në burgun e Dyzit!

Fundi i turpshëm i dy mandateve të Shpend Ahmetit në krye të Prishtinës, para largimit nga objekti i komunës, e presin prangat në duar për ta dërguar në burgun e Dyzit!

Gani Qarri

  • 27 November 2021 - 09:14

Shkruan: Analisti - Gani Qarri

Shpend Ahmeti bashkë me qeverisjen e tij dy-mandatesh, tërësisht të dështuar, në krye të komunës së Prishtinës, po ik duke u trash dosja e lidhjes së tij me krimin e organizuar për pastrimin e parave të pista e kriminale në fushën e ndërtimit. Kjo po vërtetohet së fundi edhe me rastin e projektit të korruptuar të Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, për të cilin, përveç lejes së ndërtimit të lëshuar në kundërshtim me të gjitha procedurat dhe ligjet ne fuqi, skandali po merr përmasa edhe më të gjera, sidomos sa i takon rrezikimit të shëndetit të qytetarëve nga helmimi me grimcat e asbestit.

-Nga vazhdimi i hulumtimit të këtij rasti inkriminues, tanimë janë zbardhur edhe shkelje të tjera lidhur me skandalin e shkatërrimit të azbestit kancerogjen, përmes projektit korruptiv, të dyshimtë dhe abuziv për qendrën afariste-banesore në lagjen Lakërishtë të kryeqytetit të Kosovës. Për aq më tepër, dosjet e dokumentacionit të publikuar, zbulojnë se për shkak të urgjencës së kamuflimit të këtij projekti për interesat e grupeve të caktuara të interesit, NPB-ja e ka shpërfill edhe ligjin e prokurimit publik, duke angazhuar kompani për rrënim pa procedura të prokurimit dhe pa tender të objekteve ekzistuese të NPB-s, të cilat në mbulesë kulmi kishin pllaka të azbestit. Dhe siç është e njohur për të gjithë, Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë, (NPB) ishte poseduese e vetme e lejes së lëshuar më 06 gusht 2021, nga Komuna e Prishtinës, për rrënimin e objekteve të vjetra në Lakërishtë ku ndodhi skandali publik i shkatërrimit pa kontroll të azbestit kancerogjen.

Por përkundër faktit se NPB-ja ishte ligjërisht përgjegjëse e vetme për rrënim, ajo përveçse ka hapur tender, pa zhvilluar fare procedura të prokurimit, u përpoq që edhe gjithë përgjegjësinë t`ia linte bashkëinvestitorit privat “Made Group Construction”, i cili çuditërisht për tenderin e fituar vet, angazhoi një palë të tretë si nënkontraktor për rrënim, si kompania “Joos & Krasniqi” që njëherësh, kinse e kishte edhe “konkurrent” në tender. Mungesa e procedurave të prokurimit dëshmohet edhe në bazë të sistemit të prokurimit elektronik të Kosovës ku nuk figuron asnjë aktivitet i NPB-së për këtë çështje. NPB-ja si ndërmarrje publike, përveç të gjitha shkeljeve të tjera ligjore, administrative e procedurale në bashkëveprim dhe koordinim me Shpend Ahmetin dhe Dardan Sejdiun, pamundësoi qëllimisht konkurrencën duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe legjislacionin sekondar, për çka edhe është ushtruar kallëzimi penal nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kundër saj.

Kurse Ministria e drejtësisë ka autorizuar avokaturën shtetërore për ushtrimin e kallëzimit penal, pasi që Autoriteti kontraktues, megjithëse sipas Ligjit për Prokurim Publik, mund të përdorë procedurat e negociuara të lidhjes së kontratës pa publikimin e njoftimit, në raste të tilla obligohet të njoftojë mbi përzgjedhjen e Operatorit Ekonomik, me të cilin ka negociuar dhe ka arritur marrëveshje. Por për habi, as për këtë procedurë nuk ka dëshmi të publikuara para fillimit të punimeve në sistemin elektronik, ndaj kjo konsiderohet si dëshmi plus që rëndon mbi të gjithë zyrtarët e dikastereve të cilët qëllimisht kanë kamufluar këtë projekt të dyshimtë dhe inkriminues. Për tu bërë skandali edhe më i madh, në këtë rast nuk është hapur fare tender nga NPB-ja, pasi që nënkontraktori para se të përzgjidhej do të duhej t`i përmbushte kërkesat e përshtatshmërisë te NPB-ja.

Ndërsa edhe Inspektorati nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte pezulluar punimet, vetëm pas ndodhjes së skandalit mjedisor të shkatërrimit pa kontroll, me ekskavator të materialit kancerogjen të azbestit që ka rrezikuar shëndetin e banorëve të lagjes Lakërishtë. Kurse Drejtoria e Urbanizmit nga Komuna e Prishtinës me 15 tetor 2021,e ka shfuqizuar vendimin që ia kishte lëshuar vet, më 06 gusht 2021, Ndërmarrjes Publike Banesore për rrënimin e objekteve të vjetra në Lakërishtë.

Vendimi për shfuqizim është marr me urdhër të Drejtorisë së Inspeksionit me arsyetimin se NPB-ja në dokumentacionin aplikues nuk e ka cekur askund se ndërtesat e vjetra janë të mbuluara me material azbesti. Pra kjo është mënyra mafioze se si Shpend Ahmeti po e braktisë edhe mandatin e dytë të kryetarit të Prishtinës, duke ikur me plot dyshime dhe i njollosur deri në fyt, si një ndër mafio-politikanët dhe kryetarët më të dështuar të deritashëm, të korruptuar dhe të inkriminuar pafundësisht. Prandaj, po të ketë drejtësi të njëmendtë dhe të pavarur në periudhën më të shkurtër vijuese, Shpendi bashkë me shokë, para se ta dorëzonte mandatin, do të nxirreshin urgjentisht, para bankës së të akuzuarve, për lidhjet me mafien e ndërtimeve, tregtimin e lejeve ndërtimore dhe pastrimin e miliona eurove të pista në kooketim të ngushtë me oligarkikët më mafioze të financimit dhe krimit të organizuar.

Ai i cili si asnjë kryetar tjetër i deritanishëm i kryeqytetit, për 8 vite me radhë, e ka degraduar tërësisht Prishtinën, degradim turrin e të cilit, kërkohet një dorë e fortë për ta ndaluar dhe riparuar aty ku ka hapësirë e mundësi për të shpëtuar, atë që mund të shpëtohet, kurse Shpendit me shokë, pas gjithë asaj katrahure që i kanë shkaktuar kryeqendrës së vendit, para se ta len objektin e komunës, medoemos duhet vënë prangat në duar dhe dërguar urgjentisht në burgun e Dyzit!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".