
Lexoni edhe:
Shumë më shpejt të fillojnë proceset gjyqësore në Gjykatën Speciale të Hagës për krime lufte
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Nga gjendja e krijuar me bllokimin emërimit të Kryeprokurorit të ri të shtetit, dhe dështimin e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kuvendit për shkak të parregullsive të evidentuara në proces, tani më është momenti vendimtar, që në procesin e shkëputjes së gjyqësorit nga strukturat e nëntokës kriminale të SHIK-ut, të fillohet edhe me pastrimin hap pas hapi të Gjykatës Kushtetuese, ku pothuajse shumica e anëtarëve të kësaj Gjykate u emëruan në pazaret politike të koalicionit qeverisës PDK AAK- AKR, nën hijen e rëndë të strukturave të SHIK-ut ilegal , parainstitucional e kriminal.
Pas konkursit të instrumentalizuar për Kryeprokuror të Shtetit dhe bllokimit të kandidatit të përzgjedhur arbitrarisht nga KPK-ja, i cili nuk mori miratimin nga Presidentja e vendit, tanimë për shkak të përplasjeve politike në parlament dhe mungesës së transparencës në procesin e intervistimit dhe vlerësimit të kandidatëve edhe Gjykata Kushtetuese vijon të mbetet e bllokuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Madje gjendja e krijuar alarmante, dëshmon se ka ardhur koha, që Gjykata Kushtetuese, përfundimisht të pastrohet dhe dekriminalizohet nga elementët e inkriminuar, të katapultuar aty, nga partitë e kriminalizuara politike, që aktuialisht po mrizojnë në opozitë. Kështu që për pasojë në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës ka dështuar edhe zgjedhja e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për çka Kuvendi është detyruar ta rishpallë konkursin e ri.
Kjo për vet faktin se asnjëri nga 4 kandidatët e listës së ngushtë, të dërguar nga komisioni vlerësues, si; Albert Avdiu, Bardh Bokshi, Etrur Maloku dhe Dukagjin Avdyli, nuk ka arritur ta marrin shumicën e votave të mjaftueshme në Kuvend. Dhe megjithëse në rundin e parë të votimit kanë marrë pjesë mese 102 deputet, asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur ti marrë votat e mjaftueshme, ndërsa kandidati me më së paku pikë ishte Dukagjin Abdyli, i cili edhe është tërhequr nga gara e mëtejshme. Kurse në rundin e dytë kanë marrë pjesë 97 deputetë, por serish renditja në vota për kandidatët ka rezultuar e pa mjaftueshme për tu zgjedhur, ndonjëri prej tyre, për postet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa pas numërimit të votave rezultoi që kandidati Albert Avdiu ka marrë 60 vota, Bardh Bokshi 52, kurse Etrur Maloku vetëm 39 vota, në mesin e të cilave, të pavlefshme ishin dy vota dhe njëjtë si tentativa e parë, edhe tentativa e dytë ka dështuar, gjë që ka detyruar Kuvendin, ta rishpallë serish konkursin. Pasi që, njësoj sikurse në rastin e Prokurorit të shtetit, monitoruesit nga OJQ-të, edhe tek kandidatët për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, kanë shprehur ankesat e tyre, se edhe Konkursi për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është përmbyllur pas një procesi jo transparent të përzgjedhjes së kandidatëve, tani më edhe ky proces dështoi në Kuvend dh do të duhet përsëritur nga pika zero. Kjo për vet faktin se komisioni vlerësues kishte vendosur që gjatë poentimit të kandidatëve pas intervistimit të tyre, procesi serish të mbyllej për publikun dhe monitoruesit.
Dhe prej krejt asaj që dihet nga zhvillimet e deritanishme, për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kishin aplikuar 13 persona, ndërsa janë intervistuar 12 prej tyre, por edhe pse në konkurset e hapura nga Kuvendi dhe Qeveria, sidomos ato që bëhen me asistencë nga ekspertët britanikë, janë vendosur standarde të transparencës së plotë gjatë intervistimit dhe poentimit, por këto standarde serish nuk janë respektuar në Konkursin për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Sipas standardit të paraparë, anëtarët e komisionit vlerësues obligohen t’i bëjnë publike pikët e dhëna për secilën përgjigje të kandidatëve dhe në rastet kur ka dallime të mëdha në poentim, anëtarët e komisionit vlerësues obligohen të japin arsyetime për mënyrën dhe formën e secilit poentim të bërë.
Por në procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën me juridiksionin më të lartë në vend, anëtarët e komisionit vlerësues nuk e kanë pa fare të udhës, që t’i bëjnë publike pikët individuale për kandidatët, madje as t’i arsyetojnë ato para monitoruesve dhe kolegëve të tyre. Kështu që vetëm totali i pikëve për secilin kandidat u bë publik e për pasojë, krejt ky proces jo transparent u përmbyll me mos votim të asnjërit nga katër kandidatët e listës së ngushtë që ju propozuan seancës së kuvendit. Për të pasur transparencë të plotë në këtë proces, përfaqësueset e të dy organizatave monitoruese i patën kërkuar komisionit vlerësues publikimin e mënyrës së vlerësimit për secilin kandidat veç e veç, por për habi, arsyetimi i anëtarëve të komisionit ishte se kinse në këtë mënyrë do të "shkelej" privatësia e kandidatëve, duke mos marrë fare për bazë parimin e publicitetit dhe të transparencës të cilat do ta shtonin peshën e rëndësisë së këtij procesi.
Kushtetuta e Kosovës e as Ligji për Gjykatën Kushtetuese në bazë të të cilëve është zhvilluar ky proces nuk ndalojnë publikimin e pikëve individuale për secilin kandidat dhe askund nuk është cekur se publikimi i pikëve individuale të kandidatëve do të shkelte privatësinë e tyre. Ishte vet tendenca për manipulim dhe kapje të gjykatës nga interesat e instrumenteve politike, ajo që e dërgoi finalen e konkursit në dështim, e tani Kuvendi detyrohet edhe njëherë të fillojë procedurën nga pika zero, kurse Gjykata Kushtetuese pa dy anëtar të saj mbetet jo funksionale dhe pa mundësi të vendimmarrjes. Nga gjendja e krijuar me bllokimin emërimit të Kryeprokurorit të ri të shtetit, dhe dështimin e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kuvendit për shkak të parregullsive të evidentuara në proces, tani më është momenti vendimtar, që në procesin e shkëputjes së gjyqësorit nga strukturat e nëntokës kriminale të SHIK-ut, të fillohet edhe me pastrimin hap pas hapi të Gjykatës Kushtetuese, ku pothuajse shumica e anëtarëve të kësaj Gjykate u emëruan në pazaret politike të koalicionit qeverisës PDK AAK- AKR, nën hijen e rëndë të strukturave të SHIK-ut ilegal,parainstitucional dhe kriminal!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".