Bota demokratike ka gabuar, e ka ledhatuar dhe nuk e ka izoluar e ndëshkuar në Serbi regjimin post millosheviqian, me vazhdimësi të kriminalizuar

Bota demokratike ka gabuar, e ka ledhatuar dhe nuk e ka izoluar e ndëshkuar në Serbi regjimin post millosheviqian, me vazhdimësi të kriminalizuar
Bota demokratike ka gabuar, e ka ledhatuar dhe nuk e ka izoluar e ndëshkuar në Serbi regjimin post millosheviqian, me vazhdimësi të kriminalizuar

Gani Qarri

  • 21 March 2023 - 07:47

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Ajo që sot po ndodhë në Ballkanin Perëndimor, nuk është më befasi as akt i papritur, por është dështim dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë e vet faktorit ndërkombëtar që përkundër të gjitha gjakderdhjeve të shkaktuara, vazhdon ta ledhatojë Serbinë. Është përgjegjësi edhe e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, që në vend të ledhatimeve, do duhej të ishin angazhuar në vazhdimësi, për ta reformuar dhe spastruar me kohë skenën politike në Serbi, nga mbeturinat e regjimit të kaluar dhe vazhdimësia e politikës së Millosheviqit, si pasardhësi i tij, krimineli Vuçiq, i cili edhe sot, pa asnjë pengesë, madje edhe me kapriçio të madhe, vazhdon politikën e vjetër hegjemoniste, i instaluar, me pushtet mjaft të fuqishëm edhe në krye të shtetit serb, pikërisht me ndihmën e ndërkombëtarëve.

-Sot me të drejtë të gjithë pyesim se pse, faktori ndërkombëtar, nuk mbështeti fare dhe asnjëherë rrymat progresive dhe reformatore në serbi, sikur që është edhe rasti i Republikanëve serb në krye me Nikola Sanduloviqin, të cilët ndonëse me forcë solide elektorale, po bëjnë lëvizje të fuqishme të denoncimit të korrupsionit dhe krimit masiv nga pasuesit e Millosheviqit dhe regjimi i Aleksandër Vuçiqit me eskortat e tyre, duke u angazhuar seriozisht edhe për pajtim dhe njohje mes shteteve që janë krijuar nga një luftë e egër shkatërrimtare e gjenociadiale, nga shteti i shkatërruar i ish federatës jugosllave.

Për aq më tepër, siç dihet tanimë publikisht, përgjegjësi direkt i të gjitha konflikteve dhe luftërave më të përgjakshme në ish jugosllavi, ishte vet Serbia hegjemoniste, ndaj ka vite, që Republikanët e Kosovës, bashkëpunojnë vetëm me Republikanët e Serbisë të udhëhequr nga politikani demokrat Sandulovioq i cili para pak ditësh vizitoi Kosovën dhe Memorialin historik të Familjes heroike Jashari në Drenicë. Parti me të cilët zhvillojnë një bashkëpunim të sinqertë dhe përpiqen edhe për zbardhjen e krimeve të luftës dhe njohjen reciproke Kosovë-Serbi, që në fakt është, apo ishte, njëherë edhe kërkesë e faktorit ndërkombëtar në procesin e dialogut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Partia Republikane e Kosovës dhe ajo e Serbisë, kanë nënshkruar edhe marrëveshjen për “Njohje reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane, hyrje të përbashkët në BE dhe NATO”, me ç’rast edhe janë dakorduar për bashkëpunim në normalizimin e marrëdhënieve, në mes të dy vendeve të pavarura.

Madje kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti, e ka cilësuar këtë marrëveshje si historike duke sqaruar se të dy partitë kanë ndërmarrë hapa konkret në zbardhjen e krimeve serbe ndaj popullatës shqiptare, që është një ngjarje historike për dy vendet tona, pasi që aktualisht vetëm partitë republikane ofrojnë një zgjidhje reale për të ardhmen, ndërsa formimin e “Zajednicës”, z. Kurti, me arsye e cilësoi rrezikim të sovranitetit të Kosovës. Por mu në kohën kur makina e propagandës serbe është më aktive se kurrë kundër Kosovës dhe historia rrezikon të shtrembërohet” nga qeveria hegjemoniste serbe e Aleksandër Vuçiqit, megjithëse asnjëherë më parë gjatë gjithë historisë së njerëzimit, nuk ka ndodhur që viktima të shpallet fajtor dhe nga viktima të kërkohet të bëhen lëshime, si formimi i “zajdenicës” në Kosovë, duke rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës, kjo i kërkohet shtetit të Kosovës...nga ndërmjetësi Lajçak dhe emisari Eskobar!? Kryetari i Republikanëve të Kosovës, shtoi se këto dy parti njohin vetëm një rrugë për paqe dhe afrim – njohjen e ndërsjellë dhe kërkim-faljen nga Serbia. Përndryshe, “Një krim i mohuar është vrasje për se dyti, ndaj republikanët e Kosovës në bashkëpunim me republikanët e Serbisë njohin vetëm rrugën për afrim dhe paqe mes dy popujve tanë – njohja, pranimi, kërkim falja nga ana e Serbisë për gjenocidin në Kosovë.

Edhe kryetari i Republikanëve të Serbisë, Nikola Sanduloviç, deklaroi se kjo marrëveshje është një hap përpara, drejt së ardhmes dhe premtoi se nëse fiton pushtetin në Serbi, do të punojë në “kapjen” e keqbërësve dhe të gjithë ata do të vihen para drejtësisë. “Po e përsëris qëndrimin tim, i cili nuk ka ndryshuar që 20 vjet, sepse kam dhënë premtim që të gjithë kriminelët që kanë kryer krime, do të përgjigjen para drejtësisë”. Një frymë të tillë progresive, kanë reflektuar edhe liberalët serb të cilët kaherë janë deklaruar se pavarësia e shtetit të Kosovës është punë e kryer dhe atë duhet pranuar, mirëpo duket se qëllimisht, vet faktori ndërkombëtar, i ka injoruar në vijimësi, me mos mbështetje të merituar, pikërisht forcat progresive dhe pro evropiane në Serbi, vetëm që kanë programe të qarta të bashkëpunimit ndër fqinjësor, pajtimit dhe ndjekjes së krimit, dhe janë deklaruar qysh me kohë, për bashkë udhëtim të të gjitha shteteve të reja të rajonit drejtë Evropës së bashkuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".