Taktizimi i Aleksandër Vuçiqit në Ohër me tri fitoret e reja duke mos nënshkruar marrëveshjen dhe mashtruar faktorin ndërkombëtar

Taktizimi i Aleksandër Vuçiqit në Ohër me tri fitoret e reja duke mos nënshkruar marrëveshjen dhe mashtruar faktorin ndërkombëtar
Taktizimi i Aleksandër Vuçiqit në Ohër me tri fitoret e reja duke mos nënshkruar marrëveshjen dhe mashtruar faktorin ndërkombëtar

Gani Qarri

  • 23 March 2023 - 07:33

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Pavarësisht faktit që u tha se në Ohër gjoja është arritur dakordimi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, Vuçiqi duke mos nënshkruar asgjë, as kësaj radhe dhe pranuar vetëm gojarisht propozimin e BE-së, me këtë lloj taktizimi ai po arrit tri qëllime vrastare për Kosovën; 1 i imponoi palës kosovare "të pajtohet" me ngritjen edhe de fakto të "zajednicës", 2 nuk mori kurrfarë përgjegjësi mbi vete, për implementimin e asnjë marrëveshje në dobi të Kosovës dhe 3, parandaloi me sukses serish njohjet e reja të shtetit të Kosovës nga pesë shtetet mos njohëse të BE-së, të cilat vazhdojnë të arsyetohen se ende nuk është nënshkruar marrëveshja me Kosovën.

-Prandaj edhe takimi i Ohrit, në mes të Kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, njëjtë si në Bruksel, apo edhe më keq, ishte vetëm një storie tjetër goditëse për Kosovën, madje edhe më rënduese e vazhdimësisë së takimit të 27 shkurtit në Bruksel, ku pala serbe me mjeshtri, serish ka manipuluar, duke deklaruar se e pranon vetëm gojarisht propozimin franko gjerman, pa pranuar të siglojë asgjë të firmosur me nënshkrim. Dhe sado që takimi i Ohrit ishte menduar si historik për arritjen e nënshkrimit të marrëveshjes dhe planit periodik të zbatimit të saj në terren, çuditërisht edhe ky takim ka përfunduar pa rezultat konkret, i cili do të mbetet në analet e historisë diplomatike si teori "fiktive" e llojit të dakordimit të palëve pa marrëveshje të nënshkruar praktike, në emër të kalimit të pengesave për krijimin e klimës së normalizimit të gjendjes!?

Kështu që pavarësisht se thuhet që në Ohër është dakorduar një marrëveshje publike për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, ani pse pala kosovare është pajtuar edhe për krijimin e Asociacionit, pala serbe përsëri nuk ka nënshkruar asgjë, ndaj se çfarë cilësie e "re" e marrëveshjeve mund të kualifikohet kjo, mbetet shumë për tu diskutuar! Kurse ikja e Aleksandër Vuçiqit nga nënshkrimi i “marrëveshjes” që thuhet vetëm me gojë, se e ka pranuar, është taktizim perfekt, për të vazhduar me traditën e tij të ikjes nga përgjegjësia dhe për ti mbuluar përsëri me plafin e madh të heshtjes të gjitha marrëveshjet për të cilat, Serbia është pajtuar në Bruksel. Fakt mjaft fatkeq, për vendin tonë, që dëshmon botërisht se Vuçiq po arrin serish me shumë sukses të luaj "kile", me Kosovën dhe Bashkësinë Ndërkombëtare duke i ikur pa therrë në këmbë, moszbatimit në terren as të marrëveshjeve për të cilat, Serbia praktikisht është pajtuar, qysh moti në Bruksel.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".