Lexoni edhe:
Kërkesa e shteteve aleate për Asociacionin vetëm në funksion të perspektivës më të shpejtë të zhvillimit dhe integrimit të komunitetit
Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri
Derisa ligji do ti nënshtrohet diskutimit dhe amandamentimit në Kuvend, në dy lexime deri në miratimin final, KDI rekomandon që kandidimi t`u mohohet të gjithë personave të dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dënimit, për veprat e rënda penale të përcaktuara sipas nenit 22 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës – ku mes tjerash, përpos veprave të dënueshme me mbi 10 vite burgim, përfshihen edhe veprat penale të korrupsionit, veprat e cenimit të të drejtave zgjedhore dhe kundër integritetit të zgjedhjeve dhe krimin e organizuar.
-Muajin e kaluar, Komisioni ad-hoc për Reformë Zgjedhore, në fakt e ka përmbyll punën e tij njëvjeçare, që rezultoi me një draft të ri të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, por megjithëse është miratuar në parim, Instituti Demokratik i Kosovës thekson se ky projektligj reflekton një konsensus mes subjekteve politike parlamentare, të cilat kanë treguar dakordësi edhe për shqyrtimin e përshpejtuar të tij, akt që nuk prodhon efektin e deklaruar dhe as ndryshimin e kërkuar.
Prandaj është shumë dekurajues dhe për tu alarmuar tendenca e sërishme e partive politike, për improvizimin e sërishëm, sipas një marrëveshje të fshehtë për dështimin e reformës zgjedhore, me disa ndryshime kozmetikë vetëm sa për ta arsyetuar nismën e filluar dhe me qëllimin për të lejuar përsëri që në institucionet e shtetit të depërtojnë, përsëri edhe kandidatët potencial të ndëshkuar për korrupsion e krim të organizuar!
Kështu që Shoqëria civile, respektivisht ekspertët e fushë së legjislacionit zgjedhor nga KDI, janë alarmuar me finalizimin e ligjit të ri të zgjedhjeve, i cili nga komisioni ad hok, është përfunduar dhe dorëzuar qeverisë së Kosovës për vlerësim të kostos financiar dhe procedimin e tij, për miratim në Kuvend, ligj ky, që me ndryshimet e realizuara, Jo vetëm, që nuk është avancuar por në disa segmente, është dëmtuar edhe më shumë, i cili si tillë, do t`u shërbejë më tepër interesave të ngushta të partive politike se sa realizimit të mirëfilltë të reformës zgjedhore në Kosovë. Pra edhe pse pritjet ishin që Komisioni të trajtonte reformën zgjedhore në mënyrë më përmbajtjesore, në përputhje me vetë emrin e tij, projektligji që do t’i prezantohet Kuvendit ka adresuar vetëm çështje të natyrës teknike që lidhen me administrimin e zgjedhjeve, e të cilat ishin kërkuar vazhdimisht nga misionet e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Shumë elemente, që janë në interes të garantimit të përfaqësimit sa më të drejtë dhe avancimit të demokracisë janë lënë anash, përkundër nevojës dhe rëndësisë që ato kanë, madje “në fakt, kjo “reformë”, përtej ndryshimeve kozmetike, i ka shërbyer shumë më tepër akomodimit të interesave të ngushta të subjekteve politike, ku është shënuar regres serioz”, thuhet në reagimin e KDI-së. Për KDI-n subjektet politike janë pajtuar që me këtë projektligj ta ulin standardin për përshtatshmërinë juridike të kandidatëve, që në praktikë ua mundëson kandidimin edhe atyre që janë të dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale.
Kurse “Ndalesa" për të qenë kandidat në lista zgjedhore do të vlejë vetëm ndaj personave të dënuar me burgim efektiv prej së paku një viti apo atyre me dënime plotësuese, e duke qenë se sistemi ynë i drejtësisë shquhet për politikë të ulët ndëshkimore – ku vetëm gjatë dy viteve të fundit 2/3 e veprave penale për korrupsion kanë përfunduar me dënim me kusht apo me gjobë – projektligji i ri i hapë rrugë kandidimit dhe zgjedhjes së personave që kanë probleme me ligjin”, thuhet në reagimin e KDI-së kundër këtij improvizimi në emër të reformës zgjedhore.
Derisa ligji do ti nënshtrohet diskutimit dhe amandamentimit në Kuvend, në dy lexime deri në miratimin final, KDI rekomandon që kandidimi t`u mohohet të gjithë personave të dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dënimit, për veprat e rënda penale të përcaktuara sipas nenit 22 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës – ku mes tjerash, përpos veprave të dënueshme me mbi 10 vite burgim, përfshihen edhe veprat penale të korrupsionit, veprat e cenimit të të drejtave zgjedhore dhe kundër integritetit të zgjedhjeve dhe krimin e organizuar. KDI njofton dhe alarmon, po ashtu, se me projektligjin e ri është ndryshuar edhe votimi preferencial, nga pesë kandidatë – sa ka qenë deri më tani, në 10 – sa ishte në zgjedhjet e vitit 2007, që përsëri nuk është zgjidhje e duhur dhe që nuk siguron përfaqësim pozitiv por mundësi të re për tregtim dhe manipulim të votës.
“Bazuar në përvojën tonë në vëzhgimin e zgjedhjeve dhe edukimin e votuesve, dhënia e mundësisë për votuesit që të votojnë deri në 10 kandidatë nuk kontribuon në përfaqësim më të mirë apo më kualitativ në Kuvend. Për më keq, rritja e votës preferenciale ka ndikim negativ edhe në administrimin e zgjedhjeve. Përveç dyfishimit të kohës që duhet për numërimin e këtyre votave, rritet potenciali i manipulimit të vullnetit qytetar nga ana e komisionarëve, posaçërisht në rastet kur votuesit potencialisht do të shënjojnë më pak se 10 kandidatë. Duke analizuar trendët e deritanishme të votimit, del se votuesit zakonisht nuk votojnë as pesë kandidatë, sa ua mundëson sistemi aktualisht. ”, thuhet në reagimin e KDI-së dhe shtohet se në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare (2021, 2019 dhe 2017) votuesit kanë votuar mesatarisht katër kandidatë.
Kurse, edhe në vet zgjedhjet e vitit 2007 kur kemi pasur votim preferencial deri në 10 kandidatë, mesatarja e kandidatëve të votuar është vetëm 5.3 sosh. Prandaj, KDI rekomandon që vota preferenciale duhet të kufizohet vetëm në tre kandidatë, duke kontribuar në një garë më konkurruese mes kandidatëve dhe duke siguruar të ruhet kuota gjinore prej 30%”. Çështja e tretë problematike që është futur në projektligjin e ri për zgjedhjet është mundësia e shkarkimit të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së me propozim të 2/3 e përbërjes së KQZ-së, për rastet e shkeljeve të integritetit apo statusit të KQZ-së, që deri më tani ka qenë në diskrecion të plotë të Presidentit.
Pra“Ndryshimet e propozuara, përveç se nuk adresojnë problematikën e paqartësisë mbi rrethanat e shkarkimit, në fakt ato mundësojnë cenim edhe më të rëndë të pavarësisë dhe integritetit të KQZ-së, mundësojnë politizimin e përfundimit të mandateve të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së, duke minuar besimin e publikut në këtë institucion, thuhet në reagimin e KDI-së. Ndryshe, KDI vlerëson që KQZ-ja nuk duhet të ketë mundësi të propozojë shkarkimin e anëtarëve apo kryesuesit lidhur me shkeljet e pretenduara të statusit apo integritetit të KQZ-së. Kurse, projektligji i ri duhet të parashohë qartazi rrethanat, veprimet apo mosveprimet, të cilat mund të përbëjnë shkelje të integritetit apo statusit të KQZ-së – që mund të përdoren si bazë për përfundimin e parakohshëm të mandatit të anëtarëve të KQZ-së”, thuhet në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës.
Krejt kjo dëshmon se do të duhej mobilizuar seriozisht shoqëria civile në këtë proces të ri, për të ndikuar dhe mos lejuar kalimin në Kuvend të një ligji që ju përshtatet interesave të partive politike, grupeve të ngushta për të përfituar përfaqësim në Kuvend dhe institucionet tjera nga një ligj dhe proces zgjedhor akoma më shumë i deformuar!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".