
Lexoni edhe:
Qytetarët po ndjehen të pabarabartë në votim
Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri
Bashkimi Evropian akoma vazhdon të mbajë masa kufizuese ndaj Kosovës për disa arsye kryesore, pavarësisht përpjekjeve serioze të Qeverisë Kurti për reforma dhe avancimin e demokracisë. Këto masa ndërlidhen kryesisht me tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës, mos përmbushjen e disa marrëveshjeve të mëparshme të dialogut me Serbinë dhe shqetësimet evropiane për qasjen e Kosovës ndaj komuniteteve pakicë.
Qytetarët po ndjehen të pabarabartë në votim Lexoni edhe:
-Nga njëra anë, çka shoh paradoksale është se BE-ja thekson se vepron mbi bazën e parimeve të sundimit të ligjit dhe stabilitetit rajonal, e në anën tjetër aplikon dualitet të madh. BE-ja argumenton se masat kufizuese janë një mjet presioni për të siguruar një qasje më konstruktive në dialogun Kosovë-Serbi dhe për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve ndërmjet këtyre dy vendeve. Për shembull, pas incidenteve të dhunshme në veri të Kosovës në vitin 2023, BE-ja vendosi sanksione politike dhe financiare si përgjigje ndaj asaj që e quajti një menaxhim të dobët të situatës dhe tendencioz nga autoritetet ligjore të Kosovës.
Nga ana tjetër, kjo qasje mund të shihet si kontradiktore me vlerat e BE-së për drejtësi dhe barazi mes shteteve aspiruese. Për shembull, Serbia, e cila gjithashtu ka qenë pjesë e incidenteve destabilizuese në rajon dhe ka refuzuar të njohë Kosovën, shpesh nuk është përballur me të njëjtin nivel ndëshkimi, duke dëshmuar qartazi për mos seriozitet. Kjo mandej ka krijuar perceptimin më besnik se BE-ja përdor standarde të dyfishta, duke penalizuar Kosovën në mënyrë disproporcionale.
Siç e dimë, qëndrimi i BE-së është rezultat i kombinimit të interesave politike të vendeve anëtare dhe dinamikave të brendshme të BE-së, ku disa shtete anëtare ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Për këtë arsye, edhe pse Kosova ka bërë përparime në fusha si sundimi i ligjit dhe demokracia, ajo vazhdon të përballet me pengesa që shpesh nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me reformat e saj të brendshme, por me faktorë gjeopolitikë dhe diplomatikë më të gjerë.
Në këtë situatë, kontribut negativ ka dhënë edhe grupi i Millan Radoiçiqit, i cili është akuzuar për krime të rënda, përfshirë sulmin terrorist në Banjskë në shtator 2023, dhe që normalisht mund të ndikojë ndjeshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky ndikim vjen kryesisht në disa drejtime kryesore, si për shembull. Kjo madje ka rritur mosbesimin mes palëve – Kosova e sheh grupin e Radoiçiqit si një faktor destabilizues që vepron me mbështetje të heshtur ose të drejtpërdrejtë nga Serbia. Kjo krijon mosbesim ndaj gatishmërisë së Beogradit për një dialog të sinqertë. Nëse ky grup mbetet aktiv dhe i pa ndëshkuar ndërkombëtarisht, atëherë Kosova ka më pak arsye për t’i besuar angazhimeve serbe në dialog. Kosova duhet të ketë seriozitet në menaxhimin e asaj pjese, pasi prezenca e grupeve të armatosura dhe të lidhura me krimin e organizuar e rrit ende rrezikun për incidente të reja të dhunshme. Kjo jo vetëm që e vështirëson stabilitetin në veri të Kosovës, por gjithashtu e bën më të vështirë implementimin e çdo marrëveshjeje të mundshme mes palëve në dialog.
Në krejt këtë situatë, kemi në diskutim kredibilitetin e BE-së si ndërmjetës në këtë çështje. Mungesa e një reagimi të fuqishëm nga BE-ja për ndjekjen e Radoiçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij krijon përshtypjen se standardet e BE-së nuk janë të barabarta për të dyja palët. Kosova dhe mbështetësit e saj e shohin këtë si një shembull të tolerancës ndaj Serbisë, pavarësisht përfshirjes së saj të mundshme në veprime destabilizuese.
Interesat politike të vendeve anëtare bëjnë që disa shtete të BE-së, si Franca dhe Hungaria, kanë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe nuk dëshirojnë ta detyrojnë Beogradin që të veprojë kundër tij. Pastaj, mungesa e unitetit brenda BE-së, pasi pesë vende të BE-së ende nuk e njohin Kosovën, gjë që natyrisht ndikon në mënyrën se si Brukseli i qaset konflikteve në rajon. Kjo bën që BE-ja të mos ushtrojë presion të mjaftueshëm mbi Serbinë për të vepruar ndaj kriminelit Radoiçiq.
BE-ja po tregon se nuk disponon fuqi ekzekutive për të ndaluar apo arrestuar individë si Radoiçiqi nëse Serbia nuk bashkëpunon. Edhe pse mund të vendosë sanksione ose të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë, ajo nuk e ka bërë këtë në mënyrë të fortë deri tani. BE-ja mjerisht shpesh ka përpjekur të ruajë një balancë mes Kosovës dhe Serbisë për të mos prishur, sipas saj, dinamikën e dialogut. Dhe si rrjedhojë, një anomali e tillë ka bërë që mosndëshkimi i fortë i Serbisë për Radoiçiqin mund ta bëjë Beogradin më pak të gatshëm për të bashkëpunuar në procesin e normalizimit.
Dhe krejt në fund, nëse BE-ja dëshiron të ruajë kredibilitetin e saj si ndërmjetës, ajo do të duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Serbinë për të ndjekur penalisht Radoiçiqin dhe të ndalojë përdorimin e standardeve të dyfishta. Përndryshe, procesi i normalizimit mund të mbetet i bllokuar dhe të vazhdojnë tensionet e larta në rajon, sidomos kur kemi në aktualitet edhe qasjen befasuese të presidentit Trump, që realisht me vendimet e tij të përnjëhershme ka tronditur botën.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".