
Lexoni edhe:
Me zgjatjen e afatit të nxjerrjes së rezultateve zgjedhore, KQZ-ja është shndërruar në kopje të KQZ-së në Tiranë
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje në Kosovë, vazhdon të jetë e ulët. Në tri palë zgjedhjet e fundit qendrore, shifrat sillën nga 44 deri në 48 %! Janë tri arsye bazike që pjesëmarrja në votime rezulton e ulët:
-E para, ndoshta listat emërore zgjedhore nuk janë spastruar nga të vdekurit. Largimet nga Kosova të viteve të fundit kanë qenë masive dhe kompetentët nuk kanë arritur ta kenë evidencën e saktë. Andaj ka pasur shpërputhje në mes të listave dhe numrit të votuesve. Ndërkohë, votimi i Mërgatës ka qenë simbolik, në raport me shumësinë e mërgimtarëve;
E dyta, qytetarët e Kosovës po ndjehen të pabarabartë në votim. Sepse partitë e PAN-it, përkatësisht, PDK-AAK-NISMA, kanë krijuar klientelën elektorale, duke abuzuar me pushtetin, si armatën prej shumë mijëra nëpunësve shtetërorë. Peshorja favorizuese rëndon kah opozita PAN-iste, e cila që në start ka klientelë garantuese me një përqindje solide.
Kontigjenti i anëtarësisë të organizatave ilegale kriminale "SHIK" dhe "Shqiponjat e Zeza", "BIA". Kontigjenti numerikë prej dhjetra-mijëra "veteranëve" të rrejshëm. Dhe, kjo qysh në nismë, e bënë garën zgjedhore të pabarabartë.
E treta, proklamohen lidhe dhe rregulla, për pastërtinë ligjore dhe morale të kandidatëve për deputetë. Ndërkohë, në listat emërore të partive politike garuese, afishohen emra riciklues, të cilët janë të akuzuar, hetuar e dënuar nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare, me dosje penale vrastare e hajnore, madje në grup si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Disa të tjerë, kanë bërë krime nëpër Kosovë dhe kanë marrë "pafajësinë" në Gjakovë! Avoketërit ndërkombëtarë, të cilët kanë mbrojtur kriminelët e Kosovës, kanë pranuar se liria e tyre ka kushtuar miliona euro, pa përmendur kurrë pafajësinë e tyre!
Ka një kontradiktë të brendshme, një popull kaq i politizuar, me një dalje kaq të ulët në zgjedhjet qendrore! Pa mëdyshje, ka një lodhje të qytetarëve me klasën politike. Partitë e grupimit në PAN, qoftë në një ish-koalicion apo edhe tani në bllok, për ta bojkotuar partinë fituese, LVV, të mësuar me pushtetin korruptiv, hajnor, nuk po durojnë qenien në opozitë. Dhe, duan ta grabisin pushtetin, pavarësisht se me zgjedhjet e lira demokratike, populli, sërishmi, i refuzoi.
Për gjatë gjithë mandatit 4 vjeçar, kanë sabotuar dhe penguar qeverisjen normale të LVV. Fondi Sovran, ishte një ide e artë, për një shtet rishtar dhe të varfër. Pasuritë e grabitura shtetërore, të tjetërsuara me ndërtime të egra, shitje e përshtije, për t`i humbur gjurmët e makro-hajnisë, shumë syresh vështirë t`i kthehen pronarit-shtet.
Por, janë pallate të ndërtuara nga "komandantët" dhe dostat e tyre hisedarë: me para tenderash abuziv, me privatizime korruptive, me haraçin e përgjakur, sot të dhëna me qera. Janë shumë mijëra-hektarë tokë, të ish-fermave shtetërore, që mund dhe duhet t`i kthehen pronarit-shtet, duke kompensuar privatizuesit, edhe pse abuziv, me çmimin e blerjes dhe investimet që mund të kenë bërë, si dhe zgjidhje të tjera të ndërmjeme.
Ministri dhe institucione të ndryshme shtetërore, janë bërë qeraxhi në ish-pronën e shtetit! Institucione, ambasada, konsullata, firma dhe banime për të huaj, janë bërë qeraxhi në pronat shtetërore të tjetërsuara nga "komandantët" shtetarë dhe pushtetarë, të katapultuar në poste kulmore, duke shkelur mbi kufoma, përdhunshëm e përgjakshëm.
Byroja për verifikimin e pasurisë të pambuluar financiarisht, vazhdon të pengohet, bllokohet, pikërisht, nga ish-shtetarët e pushtetarët kriminelë e hajna zyrtarë. Të gjitha ligjet, të cilat i konsiderojnë të dëmshme për ata, vazhdojnë t`i apelojnë në Gjykatën Kushtetuese, të kapur nga kriminelë e hajna, tashmë, të faktuar. Disa syresh i apelojnë edhe në Istitucionet e Drejtësisë Ndërkombëtare, duke bërë raportime të kamufluara e fiktive, si në Komisionin e Venecia-s dhe gjetkë.
Vetting-u, edhe pse i pranuar në parim, vazhdon të prolongohet për ta amortizuar dhe nxjerrë nga qëllimi dhe funksioni që ai ka. Pengesë serioze është Sistemi i Drejtësisë, tërësisht, i kapur nga PAN-i, përkatësisht banda e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinaj. Duke qenë i mbrojtur si sistem në vete, pushtet i pavarur, realisht, është i varur dhe i koracuar nën mbrojtjen e kuadrit ekzistues, duke u ricikluar në postet drejtuese, pa lënë asnjë mundësi për mbikqyerjen e nevojshme, kur krimet heshtën, për të ardhur deri tek parashkrimi i lëndëve gjyqësore. Vazhdon gjyqi pë "Gylenistët", dënohet shefi i AKI-së, Dritan Gashi, me 4 vjet e 8 muaj burg. Por, shefi tij urdhërdhënës, Hashim Thaçi, nuk merret në përgjegjësi!
Populli i Kosovës është i zhgënjyer keqas në klasën politike të Kosovës. Opozita e kriminalizuar përgjatë 4 vjeçarit të opozitarizmit të saj, ka qenë destruktive, ka koordinuar sulmet ndaj pozitës, LVV, me Serbinë dhe Tiranën zyrtare, me qëllim të largimit nga pushteti të kësaj pozite. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, shantazhonte dhe kërcënonte pozitën brutalisht dhe rrugaçërisht: "Caktojeni datën e zgjedhjeve, përndryshe nuk t`i votojmë ligjet e, mbi të gjitha, marrëveshjet ndërkombëtare!" Dhe, vërtet, bllokonte votimin, duke dështuar marrëveshjet e gatshme!
Vërtet, ishte një kohë, përgjatë qeverisjes kriminale të PDK-së, plus kryetares Valdete Dala, vegël e Hashimit, kur në Drenicë e gjetkë, legalish e trimërisht, i mbushnin kutitë me vota, si realizimi 150 % të planit në kooperativat bujqësore të merhumit Enver Hoxha! Por, të paktën, në dy palë zgjedhjet e fundit, nuk ka pasur asnjë aferë. Edhe kësaj radhe u bë "shumë zhurmë, për asgjë". Rinumërimi i votave në disa vend-votime, nuk ka dëshmuar për ndonjë ndikim në rezultatin e ndokujt. Ankuesit ishin larg fitores.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në konsultim me PZAP dhe Gjykatën Supreme, ka sqaruar se pavarësisht problemeve dhe vonesave, nuk është cenuar integriteti i zgjedhjeve. Kjo i amortizon të gjitha dilemat dhe përfoljet në çarshi dhe kafeneve.
Është parë me dyshim prania e anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshit, në Qendrën e votimit. Madje edhe një kundërshti e zenkë verbale, gojore me një komisionere aty. Me zotëri Kurteshin jemi njohur dhe kam punuar me atë në Ministrinë e Informacionit të Qeverisë të Kosovës në Egzil, Gjenevë, në vitet `90-a. Samiu është korrekt dhe i drejtë, një atdhetar i dëshmuar, me dënim shumëvjeçarë, të vuajtur në burgjet jugosllave. Andaj, duhet kuptuar se ndryshe reagon një pinjoll i familjes Kurteshi, në përballje të përhershme me pushtuesin serbo-sllav dhe ndryshe merakoset për Kosovën një tjetër, që kurrë nuk i ka trokitur polic ke dera.
Vërtet, vonesa dhe shpenzimet kanë qenë enorme. Të bëhet llogaria dhe të shihet mundësia për numërimin elektronik të votave. Krahaso kohën një ditëshe të numërimit të votave, për 59 milionë votues, në Gjermani, me atë tej një mujore, për më pak se një milionë votues në Kosovë! Pra, krahaso dhe vepro për të ardhmen, zgjedhjet e radhës.
Me disa ndryshime të vogla, abuzimi me vota bëhet i pamundur. Numërimi fillestar i votave për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, i asistuar me kamere dhe qasje serioze kontrolli, garanton votën e adresuar. Të pakënaqurit me rezultatin personal, është rrjedhojë e fajeve të tyre. Disa ish-deputetë me sulmet shpifëse, pa mbulesë reale karshi pozitës, u njëjtësuan me PAN-in, duke krijuar alergji në opinion. Sidoqoftë, mosha i favorizon për të reflektuar dhe maturuar mjaftueshëm, për t`u ngritur sërishmi.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".