Rritja e çmimit të energjisë ka filluar të përshpejtojë inflacionin dhe të rrisë varfërinë

Rritja e çmimit të energjisë ka filluar të përshpejtojë inflacionin dhe të rrisë varfërinë
Rritja e çmimit të energjisë ka filluar të përshpejtojë inflacionin dhe të rrisë varfërinë

Gani Qarri

  • 30 April 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Mjerisht, rritja e çmimit të energjisë jo vetëm që pritet, por edhe ka filluar të përshpejtojë në mënyrë drastike inflacionin dhe të rrisë varfërinë, akt ky që vjen edhe si një goditje e rëndë ndjellakeqe dhe tregues faktik se Kosova po përballet me një krizë të thellë ekonomike, e cila mund të rrezikojë edhe qëndrueshmërinë e biznesit dhe të qytetarëve.

 

-Madje, përveçse ky vendim është një hap prapa për zhvillimin ekonomik të Kosovës, në kushtet aktuale as që mund të arrihet një balancë mes rritjes së çmimit të energjisë dhe ruajtjes së stabilitetit ekonomik në Republikën e Kosovës!

Edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin dhe ka paralajmëruar se rritja e energjisë rrit inflacionin, shton varfërinë dhe thellon krizën ekonomike në Kosovë, ku rritja e fundit prej 16% e çmimit të energjisë elektrike pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përshpejtimin e inflacionit në vend.

Kritikat e AKB-së ndaj institucioneve për moskonsiderimin e ndikimeve të rritjes së çmimeve mund të konsiderohen edhe si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe institucioneve, në mënyrë që kjo të mos shndërrohet në një tjetër pasiguri për qytetarët dhe bizneset në vend!

Në anën tjetër, vetëm muajin e kaluar, inflacioni ka shënuar një rritje prej rreth 4%, pa përfshirë këtu edhe efektin e kësaj rritjeje të re të çmimit të energjisë, ndërsa me aplikimin e tarifave të reja inflacioni pritet të përshkallëzohet edhe më tej, duke goditur drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke rritur koston e jetesës”, thuhet me të drejtë në reagimin e kryetarit të AKB-së.

Kështu që kjo situatë, sipas Shahinit, do të rëndojë edhe më shumë pozitën ekonomike të qytetarëve, duke shtuar varfërinë, ndërsa bizneset tashmë kanë filluar të bëjnë kalkulime të reja, të cilat, ngado që ta marrësh, do të çojnë në rritjen e çmimeve të shërbimeve dhe produkteve për konsumatorët kosovarë.

Prandaj, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, kërkon nga institucionet përkatëse që të rishqyrtojnë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke marrë parasysh ndikimin negativ në ekonominë e vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve, i cili thotë: “Ne besojmë se përkrahja e qytetarëve dhe bizneseve, veçanërisht në këtë periudhë sfiduese ekonomike, duhet të jetë prioritet i padiskutueshëm i institucioneve të vendit, pavarësisht ngërçit politik që po godet në formë tjetër ekonominë dhe imazhin e Kosovës”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".