NATALITETI - PROBLEM AKUT I KOHËS NË KOSOVË

NATALITETI - PROBLEM AKUT I KOHËS NË KOSOVË
NATALITETI - PROBLEM AKUT I KOHËS NË KOSOVË

Ismail Muçiqi

  • 10 June 2025 - 17:29

Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi

Fenomeni i natalitetit në Kosovë, vitet e fundit, po bëhet gjithnjë e më shqetësues dhe një preokupim serioz për shoqërinë kosovare. Nga të gjitha rajonet e Republikës së Kosovës po vijnë lajme dhe raporte që tregojnë për mbylljen e paraleleve nëpër fshatra, për mospasjen e nxënësve në disa shkolla si pasojë e rënies së lindshmërisë. Në disa komuna, një numër i konsiderueshëm i punëtorëve të arsimit kanë mbetur jashtë procesit mësimor për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve dhe të orëve të mësimit.

Një shoqëri apo shtet që përballet me rënie të natalitetit ka pak gjasa të zhvillohet dhe të ecë përpara në përputhje me trendet dhe kërkesat e kohës moderne. Duhet theksuar se ky fenomen ka nisur menjëherë pas luftës, por për fat të keq, institucionet përkatëse të arsimit dhe edukimit, si dhe qeveritë që ishin në pushtet ndër vite, nuk i kushtuan vëmendjen e duhur kësaj problematike. Çdokush që viziton sot fshatrat dhe vendbanimet e Kosovës, e vëren qartë se jeta fëmijërore dhe gjallëria që dikur dominonte në këto zona është zbehur dukshëm. Këtij problemi i kanë kontribuar edhe migrimet e shumta të familjeve shqiptare drejt vendeve të Evropës, në kërkim të punësimit dhe një jete më të mirë. Kosova, dikur një shtet me përqindjen më të lartë të gjeneratës së re në Evropë – një burim i shpresës dhe forcës për të ardhmen – sot përballet me sfidën e rënies së kësaj force.

Mungesa e një plani strategjik afatgjatë për arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm është një ndër shkaqet kryesore që rëndojnë mbi Institucionet e Shtetit për mosadresimin me kohë të këtij problemi. Pa dyshim, edhe liberalizimi i vizave dhe bashkimi familjar në vendet e BE-së kanë ndikuar drejtpërdrejt në shpërnguljen e popullsisë nga Kosova. Kjo dukuri kërkon një përkushtim të veçantë nga shteti, në formën e stimulimit të familjeve përmes subvencioneve, lehtësive financiare, përkrahjes për edukim dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare. Është e domosdoshme të ndryshohet qasja që një apo dy fëmijë janë të mjaftueshëm për një familje. Ky mentalitet është i rrezikshëm dhe i papranueshëm për zhvillimin ekonomik e social të vendit. Kosovës i nevojiten gjenerata të reja – një riprodhim i qëndrueshëm i burimeve njerëzore – që do të marrin përgjegjësi për ndërtimin dhe forcimin e shtetit, si dhe për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të tij. Çdo ngecje në këtë drejtim – rënia e natalitetit – i shkon përshtatje armiqve të shtetit të Kosovës, të cilët punojnë në forma të ndryshme për ta dëmtuar republikën dhe popullin e saj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".