
Lexoni edhe:
Gjendja në Kuvendin e Kosovës është dramatike që kërkon epilog të shpejtë, ose zgjedhje, ose zgjidhje
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Kosova ndodhet në një nga momentet më të ndërlikuara të saj institucionale që nga shpallja e pavarësisë. Seanca e 30-të për konstituimin e Kuvendit nuk sjell rezultat, dhe në vend të përfaqësimit ligjor, qytetarët përballen me një vakum të rrezikshëm që i prek të gjitha shtresat e sistemit shtetëror. Më shumë se një krizë kushtetuese, kjo është një krizë e thellë politike dhe strategjike, një krizë e vullnetit.
-Partia në pushtet dhe drejtuesit e institucioneve në detyrë i referohen bojkotit të opozitës si burimi i këtij ngërçi. Por kjo qasje është reduktuese dhe pa horizont. Është e vërtetë që mungesa e funksionit aktiv të opozitës në proceset vendimmarrëse përbën një sfidë serioze për jetën demokratike, por një analizë e ndershme nuk mund të ndalet aty.
Opozita nuk është se mungon në seanca ajo është fizikisht e pranishme pothuajse gjithmonë. Problemi qëndron në refuzimin e saj për të marrë pjesë në votime dhe vendimmarrje, çka e bën funksionimin e Kuvendit të pamundur. Është e lehtë të thuhet se opozita po bllokon institucionet, por një analizë serioze duhet të shkojë më thellë: çfarë e ka shtyrë opozitën drejt kësaj forme proteste institucionale dhe çfarë ka munguar nga ana e shumicës që ky bojkot të mos ndodhte fare?
Përgjegjësia nuk është lineare dhe nuk fillon me bojkotin,ajo është ndërtuar me vite përmes arrogancës politike, mbylljes ndaj dialogut, dhe një mungese të theksuar të qasjes shtetformuese. Gjatë katër viteve të fundit, Kosova është drejtuar nga një qeveri që ka favorizuar përplasjen mbi pajtimin, retorikën mbi reformën, izolimin mbi bashkëpunimin. Dialogu i brendshëm politik është injoruar. Marrëdhëniet me botën demokratike janë tensionuar ose ftohur. Dhe sot, mungesa e institucioneve është pasojë direkte e kësaj filozofie qeverisëse që e ka reduktuar politikën në një arenë për dominim, jo në një hapësirë për ndërtim.
Deklaratat e fundit të ministrit në detyrë, Hekuran Murati, për fajësimin e opozitës mund të tingëllojnë legjitime në rrafshin formal, por ato shmangin thelbin e problemit. Shteti nuk mund të mbahet mbi arsyetime procedurale. Ai kërkon përgjegjësi të plotë, vizion afatgjatë dhe gatishmëri për të negociuar edhe kur je në pozita të forta numerike. Përndryshe, shumica kthehet në pengesë, dhe jo në zgjidhje.
Në këtë realitet të bllokuar, partitë e dyta dhe të treta duhet të dalin nga roli periferik. Ky është momenti kur ato mund dhe duhet të luajnë rolin e faktorëve që hapin rrugë të reja. Jo thjesht për të balancuar pushtetin ekzistues, por për të rigjallëruar parimet mbi të cilat është ndërtuar Republika. Kjo kërkon maturi politike, qasje gjithëpërfshirëse dhe kurajë për të qenë faktorë reformues në një sistem që ka filluar të mbërthehet nga brenda.
Pasojat e kësaj krize nuk janë abstrakte. Pa një Kuvend funksional, nuk ka ligje, nuk ka marrëveshje, nuk ka përfaqësim të denjë ndërkombëtar. Në heshtjen e institucioneve, humbet edhe zëri i qytetarit. Dhe aty ku nuk flet Kuvendi, Republika nuk flet më me gjuhën e demokracisë, flet me ngërçin e saj.
Rruga përpara kërkon kthjelltësi dhe veprim. Partia në pushtet duhet të pranojë se nuk mund të jetë më e vetme në rrugëtimin institucional të vendit. Opozita duhet të gjejë format për të rikthyer pjesëmarrjen e saj në mënyrë që të mos rrezikojë të kthehet në alibi për bllokadën. Ndërsa partitë e tjera kanë detyrën historike për të qenë zëri i arsyes, përtej palëve.
Në fund të ditës, një shoqëri demokratike gjykohet jo nga forca e krizave të saj, por nga mënyra se si zgjedh t’u përgjigjet atyre. Kosova nuk ka luksin të zgjasë më këtë gjendje. Nëse nuk rikthehet balanca institucionale, nëse nuk ringrihet besimi qytetar dhe nëse nuk dëgjohet më zëri i mendjes së ftohtë, atëherë jo vetëm Kuvendi, por vetë Republika do të mbetet një emër pa trup.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".