Vjen paralajmërimi: Qeveria në detyrë ka rrëshqitur drejt një izolimi të rrezikshëm politik

Vjen paralajmërimi: Qeveria në detyrë ka rrëshqitur drejt një izolimi të rrezikshëm politik
Vjen paralajmërimi: Qeveria në detyrë ka rrëshqitur drejt një izolimi të rrezikshëm politik

Qani Shabani

  • 26 September 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Qeveria në detyrë ka rrëshqitur drejt një izolimi të rrezikshëm politik, duke ngatërruar qëndresën me mospërfilljen dhe sovranitetin me vetë-mjaftueshmëri. SHBA nuk kundërshton shtrirjen e rendit në veri. Përkundrazi – e ka mbështetur historikisht integritetin e territorit të Kosovës. Por ajo reagon ndaj arrogancës institucionale, mungesës së koordinimit dhe mungesës së respektit për partneritetin strategjik. Kur aleatët nisin të flasin publikisht, është sepse rrugët private të komunikimit janë shterur.

 

-Kosova, me një ekonomi të brishtë dhe pa fuqi të vetme ushtarake, nuk ka luksin e izolimit të vetëshkaktuar. Në këtë fazë, çdo devijim nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët është një lojë e rrezikshme me të ardhmen.

Mosmarrëveshjet e brendshme mes elitave, mungesa e konsensusit për dialogun me Serbinë dhe neglizhenca në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese pas zgjedhjeve, kanë krijuar një tablo konfuzioni institucional. Kosova po shfaq pamundësi për të përmbyllur cikle demokratike, dhe kjo dëmton besueshmërinë ndërkombëtare në një kohë kur çdo pikë mbështetjeje është jetike.

Askush nuk e konteston se veriu nuk mund të jetë kurrë arenë e kriminelëve, bandave të organizuara dhe strukturave ilegale të dirigjuara nga Beogradi. Aty kërkohet rend, ligj dhe sovranitet. Por mënyra si shteti menaxhon këtë shtrirje është po aq e rëndësishme sa vetë objektivi.

Sot, Kosova ka të drejtë në kërkesat e saj. Por ka humbur një pjesë të përkrahjes së dikurshme. Dhe kjo nuk është për faj të Perëndimit – është për shkak të një kursi që ka nisur të shihet me sy kritik, edhe nga miqtë më të afërt.

Në një rajon të tensionuar si Ballkani, nuk është e mjaftueshme të kesh të drejtë – duhet të kesh aleatë që e mbrojnë të drejtën tënde. E kur SHBA lodhet, edhe zëri më legjitim nis të bjerë në veshë të shurdhër.

Deklaratat si “nuk jemi prishur me Amerikën” mund të funksionojnë për një intervistë televizive, por jo për të mbrojtur interesin kombëtar në forume ndërkombëtare. Sepse Perëndimi nuk kërkon fjalë të bukura – kërkon veprime të mençura, koordinim të ngushtë dhe sinqeritet institucional.

Serbia dhe Rusia presin çdo vakum të Kosovës për ta shndërruar në avantazh të tyre. Çdo tension me SHBA-në është një dhuratë për Beogradin dhe Moskën. Nëse Kosova fillon të trajtojë aleatët si kundërshtarë, atëherë po shkojmë drejt vetizolimit strategjik.

Koha për reflektim nuk është nesër. Është tani. Sepse historia nuk i fal kombet që nuk dinë të lexojnë momentin kur duhet të ndryshojnë qasje.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".