Asnjë nga deputetët nuk hoqi dorë nga marrja e pagës pavarësisht se mosfunksionimi i Kuvendit vazhdoi për 9 muaj me radhë

Asnjë nga deputetët nuk hoqi dorë nga marrja e pagës pavarësisht se mosfunksionimi i Kuvendit vazhdoi për 9 muaj me radhë
Asnjë nga deputetët nuk hoqi dorë nga marrja e pagës pavarësisht se mosfunksionimi i Kuvendit vazhdoi për 9 muaj me radhë

Gani Qarri

  • 04 December 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Derisa legjislatura e IX do të mbahet mend për precedentin e pashembullt të bllokadës mbi 9-mujore kundër krijimit të institucioneve legjitime, mosmiratimin e asnjë ligji, mosvotimin e buxhetit të shtetit, mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare etj., duke rrezikuar edhe funksionalitetin e shtetit dhe humbjen e qindra milionë eurove të ndara nga BE dhe Banka Botërore për Kosovën, asnjë deputet i vetëm i saj nuk hoqi dorë nga paga.

 

-Pra, sikur të mos mjaftonte fakti që bllokada politike dhe mosfunksionimi i Kuvendit vazhdoi për 9 muaj me radhë, asnjë nga deputetët nuk hoqi dorë nga marrja e pagës, gjë që dëshmon një mungesë totale të etikës njerëzore dhe morale dhe mungesë të pafund të përkushtimit ndaj besimit të qytetarëve, avancimit të shtetit dhe interesit publik.

Bllokada e parë dhe më e gjata fillimisht erdhi për emrin e kryetarit të Kuvendit, pastaj për nënkryetarët e komuniteteve dhe krejt në fund u dështua dy herë të votohej edhe qeveria, një herë me Albin Kurtin e pastaj edhe me mandatarin e dytë, Glauk Konjufca, dhe legjislatura e IX, me deputetë të tillë "edepsëz", as pas konstituimit të Kuvendit nuk miratoi asnjë ligj të vetëm, nuk votoi buxhetin e shtetit për vitin 2026, as marrëveshjet ndërkombëtare, duke bllokuar edhe formimin e Qeverisë dhe rrezikuar qëllimisht edhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Andaj, presidentja e vendit, dr. Vjosa Osmani, u detyrua që përmes dekretit të veçantë, më 20 nëntor, ta shpërndante legjislaturën e IX dhe të shpallte zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor të këtij viti, pasi që deputetët e kësaj legjislature dështuan në të gjitha drejtimet.

Mediat vendore, përmes qasjes në dokumente publike të Kuvendit, siguruan informata se deputetët e tillë miop, me pjesëmarrje vetëm pesëminutëshe në seancë, për 7 muaj me radhë, i morën rreth 13 mijë euro. Madje, ndonëse mandatin e deputetit e morën më 20 prill, një pjesë e legjislaturës ishin deputetë e një pjesë ishin pjesë e Qeverisë; në listën e pagave mbetën 50 deputetë. Asnjë deputet nuk mbeti pa një pagë të plotë, pra mbi 95 mijë euro gjithsej.

Prandaj, deputetë të tillë duhet akuzuar dhe vendosur para drejtësisë për veprime penale kundër shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, dhe jo t’u përshkruhet si e drejtë që me pesë minuta pjesëmarrje në seanca parlamentare të marrin rreth 13 mijë euro për 7 muaj, ndërkohë që përgjegjësitë ligjore dhe shërbimi për qytetarët ishin zero!

Ndryshe, deputetë egoistë si këta, me asgjë nuk mund ta justifikojnë marrjen e padrejtë të 7 pagave të plota dhe zhvatjen e më shumë se 1.5 milion eurove nga buxheti i Kosovës, pavarësisht se bllokuan funksionimin e Kuvendit për 7 muaj, nuk miratuan asnjë ligj, nuk votuan buxhetin e shtetit as marrëveshjet ndërkombëtare, me çka kërcënuan shkaktimin e trazirave sociale, mosfunksionalitetin e shtetit dhe humbjen e qindra milionave euro të ndara nga BE dhe Banka Botërore për Kosovën, një pjesë e të cilave mund t’u shkojnë edhe Serbisë dhe vendeve tjera hegjemoniste fqinje, të cilat, pas marrjes së rreth 11 mijë hektarëve tokë tonë autoktone, pikërisht për shkak të idiotizmave të këtyre deputetëve që shteti i paguan me parat tona, tani u dashka të marrin edhe paratë e Kosovës, të ndara nga BE dhe Banka Botërore për qytetarët e vendit tonë.

Andaj, një precedent i tillë i padëgjuar mund të ndodhë vetëm në Kosovë, ku deputetë të cilët nuk punuan asgjë fituan 7 rroga të plota, pa asnjë meritë nga Kuvendi, e disa të tjerë edhe një pagë të muajit prill, apo 8 paga të plota, ashtu që nga 19 prilli e deri më 20 nëntor, sa zgjati mandati i 120 deputetëve të tillë pakurrizorë, buxhetit të Kosovës pagat dhe mëditjet e tyre i kushtuan mbi 1 milion e 515 mijë e 490 euro.

Dhe në kontot e 120 deputetëve dolën pagat e plota, me hiq më pak se 1859 euro pagë bazë, si dhe shtesat varësisht prej përvojës, derisa gati 235 mijë euro paga u ekzekutuan qysh në muajin maj. Por edhe në qershor, kostoja për 120 deputetët nuk ndryshoi shumë; të gjithë së bashku i morën rreth 200 mijë euro, siç i morën njëjtë edhe për muajt korrik, gusht e shtator, derisa shuma e paguar për çdo muaj për pagat e 120 deputetëve sillet tek vlera prej 200 mijë euro.

Edhe për udhëtime jashtë shtetit, megjithëse thuhet se shuma është simbolike — 588 euro — janë paguar mëditje për udhëtime në Londër dhe Gjermani për tre deputetë. Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe deputeti serb, Nenad Rashiq, u paguan nga 234 euro. Ndërkaq, për udhëtimin zyrtar në Gjermani, Emilija Redzepi mori 120 euro mëditje.

Kështu që, derisa legjislatura e IX do të mbahet mend vetëm për bllokadën e gjatë prej mbi 9 muaj rresht, ku asnjë deputet i saj nuk hoqi dorë nga paga, dhe bllokada e parë e më e gjata erdhi për emrin e kryetarit të Kuvendit, pastaj për nënkryetarët e komuniteteve, e krejt në fund u dështua dy herë të votohej edhe qeveria, një herë me Albin Kurtin e pastaj edhe me mandatarin e dytë, Glauk Konjufca, më në fund detyruan presidenten e vendit, dr. Vjosa Osmani, që përmes dekretit të veçantë, më 20 nëntor ta shpërndante legjislaturën e IX dhe të shpallte zgjedhjet e parakohshme në fund të vitit, pasi që deputetët e kësaj legjislature, përveçse bllokuan krijimin e institucioneve, nuk miratuan asnjë ligj, nuk miratuan buxhetin e shtetit dhe nuk votuan as marrëveshjet ndërkombëtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".