Zeqa: Mundësia që Osmani të arrijë një marrëveshje me partitë e tjera për të siguruar një mandat të dytë është minimale

Zeqa: Mundësia që Osmani të arrijë një marrëveshje me partitë e tjera për të siguruar një mandat të dytë është minimale
Zeqa: Mundësia që Osmani të arrijë një marrëveshje me partitë e tjera për të siguruar një mandat të dytë është minimale

Florim Zeqa

  • 14 January 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Siç dihet, mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.

 

-Mundësia që presidentja Osmani të arrijë një marrëveshje me partitë e tjera për të siguruar një mandat të dytë është minimale! Thënë ndryshe, përpjekjet e saj për të marrë një shumicë të gjerë mund të bëhen të pamundura për shkak të ndarjeve të thella politike, por edhe për shkak të animit të saj të hapur ndaj partisë në pushtet dhe krijesës së saj – GUXO!

Megjithatë, në politikë nuk duhet thënë asnjëherë “kurrë”, pasi çdo herë mundësitë janë të hapura, mjafton vullneti i mirë politik.

Moszgjedhja e presidentit në afatin kushtetues do të ishte e keqja më e madhe për vendin!

Pasi, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike mes subjekteve parlamentare për zgjedhjen e presidentit deri në afatin përfundimtar të marsit 2026, atëherë sërish vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme!

Kjo, përveçse mund të ndikojë në stabilitetin politik të Kosovës, do të ndikojë tejët negativisht edhe në raportet e Kosovës me aleatët strategjikë të saj!

Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja, menjëherë dhe pa e humbur asnjë ditë kohë, duhet të ndodhë konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, në mënyrë që të miratohet buxheti i këtij viti, për të evituar kolapsin financiar të shtetit tonë!

Andaj, çdo vonesë në këtë drejtim mund të ndikojë në komplikimin e çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Bazuar në kompetencat e kufizuara kushtetuese që ka Presidenti me këtë sistem qeverisës që e kemi aktualisht, do të ishte “nonsens” politik shkuarja në zgjedhje për shkak të zgjedhjes së presidentit!

Nëse i referohemi rezultatit zgjedhor dhe ndarjes së mandateve në Kuvend, pa asnjë problem duhet të arrihet kuorumi dhe shumica prej 80 votash për të zgjedhur një president të ri; në të kundërtën, do të përballemi me situata të reja zgjedhore dhe, më keq se kaq, edhe me humbje të besimit qytetar dhe të mbështetjes së Kosovës nga faktori ndërkombëtar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".