Pluralizmi dhe përgjegjësia morale

Pluralizmi dhe përgjegjësia morale
Pluralizmi dhe përgjegjësia morale

Isuf Bajraktari

  • 28 January 2026 - 16:51

Nga Isuf Bajraktari

Në një kohë kur shoqëria jonë flet shumë për demokraci, pluralizëm dhe liri mendimi, por gjithnjë e më pak për përgjegjësi, lind nevoja për t’u kthyer te pyetjet themelore: kush e drejton jetën tonë publike dhe mbi çfarë parimesh? A mjafton shumëllojshmëria e zërave, apo kërkohet edhe një orientim i qartë moral që t’i japë kuptim bashkëjetesës sonë?

Sokrati shpresonte se te mendja e Anaksagorës do të gjente shkakun e të gjitha gjërave: një parim që nuk shpjegon vetëm se si funksionon bota, por pse ajo duhet të funksionojë ashtu siç është më e mira. Ky mendim i lashtë filozofik është sot jashtëzakonisht aktual për shoqërinë tonë shqiptare, veçanërisht për Kosovën, ku pluralizmi shpesh keqkuptohet si leje për gjithçka, e jo si obligim për të mirën e përbashkët.

Ne flasim vazhdimisht për pluralizëm, demokraci dhe mendim të lirë, por shumë më rrallë flasim për qëllimin e tyre. Pluralizmi nuk është vlerë në vetvete nëse nuk i shërben drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Ai nuk është strehë për interesa të ngushta partiake, klanore apo personale. Kur pluralizmi shkëputet nga ideja e së mirës, ai humb përmbajtjen dhe shndërrohet në formë boshe.

Sokrati besonte se, nëse mendja rregullon gjithçka, atëherë ajo duhet ta rregullojë gjithçka sipas asaj që është më e drejtë dhe më e dobishme për të gjithë. Në jetën tonë politike, për fat të keq, shpesh shohim të kundërtën: institucione që funksionojnë pa vizion, rregulla që zbatohen pa drejtësi dhe vendimmarrje që udhëhiqen nga interesi i çastit. Politika është reduktuar në menaxhim pushteti, e jo në shërbim shoqëror.

Në Kosovë dhe në hapësirën më të gjerë shqiptare, pluralizmi po rrezikon të degradojë në përçarje të vazhdueshme. Secili flet në emër të së vërtetës së vet, por pak kush pyet se çfarë është e mira për shoqërinë si tërësi. Kur kjo pyetje mungon, dialogu shndërrohet në zhurmë, ndërsa demokracia në shfaqje pa përmbajtje.

Një shoqëri pluraliste nuk ka nevojë vetëm për shumë zëra, por për zëra të përgjegjshëm. Liria e mendimit nuk është e drejtë për të thënë gjithçka, por detyrim për të menduar seriozisht. Pa mendje kritike dhe pa përgjegjësi morale, pluralizmi rrëshqet lehtë në relativizëm, ku asgjë nuk vlerësohet dhe gjithçka arsyetohet.

Nga mësimi sokratik rrjedh një parim themelor: njeriu duhet të kujdeset më shumë për atë që është e drejtë sesa për atë që është e dobishme në çast. Shoqëria jonë sot vuan pikërisht nga mungesa e këtij orientimi. Vendimet merren për përfitime afatshkurtra, jo për stabilitet afatgjatë; për fitore politike, jo për mirëqenie shoqërore.

Të njohësh të mirën do të thotë të kesh guximin të dallosh edhe të keqen, edhe kur ajo maskohet me fjalë të mëdha si pluralizëm, demokraci apo interes kombëtar. Pa këtë dallim, pluralizmi nuk është përparim, por shpërbërje e ngadaltë.

Sfida jonë nuk është vetëm të jetojmë së bashku, por të ndërtojmë një hapësirë publike ku mendja, arsyeja dhe përgjegjësia morale të kenë përparësi ndaj interesit të ngushtë dhe manipulimit. Vetëm një pluralizëm i drejtuar nga e mira mund të jetë themel i qëndrueshëm për shoqërinë dhe shtetin.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".