Rikonfigurimi i NATO-s do të ndikojë në zvogëlimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë

Rikonfigurimi i NATO-s do të ndikojë në zvogëlimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë
Rikonfigurimi i NATO-s do të ndikojë në zvogëlimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë

Florim Zeqa

  • 25 February 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Raportimet për reduktim të mundshëm të trupave amerikane duhet të merren seriozisht, për shkak se po përgatitet në heshtje një rikonfigurim i rolit të NATO-s në Kosovë. Për më tepër se mesazh politik, këtë raportim duhet ta trajtojmë si çështje të garancisë së sovranitetit dhe sigurisë së jetës së qytetarëve të vendit tonë. Nëse ndodh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e zvogëlojnë realisht praninë ushtarake, do të cenohej në masë të madhe kapaciteti i KFOR-it si garantues i sigurisë sonë, për shkak se vendet evropiane nuk janë unike dhe as të gatshme ta mbushin boshllëkun strategjik të SHBA-ve në Ballkan.

 

-Kur NATO thekson se stabiliteti “në fund të fundit varet nga zgjedhja e diplomacisë”, ky është sinjal i qartë se përgjegjësia po zhvendoset nga garancia ushtarake te presioni politik ndaj palëve në dialog, çka rrezikon të krijojë vakum sigurie në terren.

Edhe përkundër faktit se KFOR-i vazhdon ta përmbushë me sukses mandatin e tij, për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit pa dallim etnie, prania e tij nuk mund të jetë e përjetshme.

Prandaj KFOR-i është i angazhuar për të krijuar hapësirë sigurie për dialog politik. Kurse NATO vazhdon ta mbështesë fuqimisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të zgjidhur çështjet e prolonguara dhe të pazgjidhura me dekada mes serbëve dhe shqiptarëve në radhë të parë, pa lënë anash të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë!

Pas luftës së gjatë në Ukrainë dhe rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme, duket i pashmangshëm rikonfigurimi i NATO-s, i cili detyrimisht do të ndikojë edhe në zvogëlimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".