Haziri: Çështja e moszgjedhjes së presidentit nuk po rezulton të jetë ‘Kali i Trojës’që opozita kishte menduar

Haziri: Çështja e moszgjedhjes së presidentit nuk po rezulton të jetë ‘Kali i Trojës’që opozita kishte menduar
Haziri: Çështja e moszgjedhjes së presidentit nuk po rezulton të jetë ‘Kali i Trojës’që opozita kishte menduar

Arsim Haziri

  • 10 March 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Arsim Haziri

Mendoj se thelbi i çështjes nuk qëndron më tek zgjedhjet. Ato tashmë janë mbajtur dhe qytetari e ka dhënë verdiktin e vet në mënyrë të qartë. Problemi aktual duket të jetë tjetërkund. Vendi gjendet në një krizë të thellë politike dhe, për mendimin tim, një pjesë e madhe e përgjegjësisë për këtë situatë bie mbi opozitën dhe mbi disa faktorë të jashtëm politikë që prej kohësh kanë shprehur kundërshtim të hapur ndaj kryeministrit Albin Kurti. Në këtë rrafsh përmendet shpesh edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si një ndër kundërshtarët më të mëdhenj politikë të Kurtit, krahas disa oponentëve të tjerë politikë për të cilët opinioni publik tashmë ka një perceptim të krijuar.

 

-Problemi me këta oponentë duket të jetë thellësisht i paarsyeshëm dhe shpesh i mbushur me motive që nuk lidhen drejtpërdrejt me interesin e vendit. Një opozitë e dobësuar politikisht dhe e futur shpesh në pozicione irracionale ka kërkuar vazhdimisht mënyra për ta rrëzuar Albin Kurtin nga pushteti. Kjo metodologji nuk është e re; ajo ka marrë formë që nga viti 2020 e tutje dhe është shfaqur sa herë që opozita është përballur me dobësinë e saj në terrenin elektoral, ku shpesh ka dalë e fragmentuar dhe në pozicion minoritar.

Tani, duke parë se fuqia politike e Kurtit nuk është zbehur, por përkundrazi ka tendencë të rritet, duket se janë avancuar edhe mjetet për ta sfiduar apo për ta rrëzuar atë. Një nga këto përpjekje, sipas kësaj logjike, po shfaqet edhe në situatën aktuale me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Edhe pse disa nga partitë opozitare kishin deklaruar më parë se do të kontribuonin në këtë proces, tani duket se përmes këtij mekanizmi po përpiqen ta shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të reja, me shpresën se kjo do të prodhojë një rënie për Lëvizjen Vetëvendosje.

Në këtë kontekst, krijohet edhe perceptimi se në këtë lojë politike është përfshirë në mënyrë indirekte edhe politika e Edi Ramës dhe se përmes rolit të presidentes Vjosa Osmani është tentuar të krijohet një situatë që mund të dobësojë qeverinë Kurti dhe eventualisht të çojë në rënien e saj.

Megjithatë, duket se çështja e moszgjedhjes së presidentit nuk po rezulton të jetë “Kali i Trojës” që opozita kishte menduar. Në fakt, për ta kuptuar këtë situatë nuk ka nevojë domosdoshmërisht për interpretim të ndërlikuar juridik; realiteti politik dhe logjika institucionale janë mjaft të qarta për këdo që e vëzhgon me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve.

Nga ana tjetër, ka edhe kritika serioze ndaj veprimeve të presidentes së vendit. Për disa, shpallja e shpërbërjes së Kuvendit përmes dekretit presidencial ngre pikëpyetje të mëdha kushtetuese, sidomos duke pasur parasysh se Kuvendi është pikërisht institucioni prej nga buron edhe vetë autoriteti i këtij posti. Po ashtu, takimet me disa parti të vogla opozitare për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare kanë shtuar më tej debatet dhe dyshimet rreth këtij procesi.

Situata bëhet edhe më kontradiktore kur nga vetë presidenca thuhet se një dekret i tillë për shpërbërjen e Kuvendit mund të pezullohet nga Gjykata Kushtetuese. Kjo krijon një paradoks institucional që vetëm sa e thellon më tej krizën politike dhe juridike në vend.

Në fund të fundit, duket se ekziston një lloj agjende e ngutshme politike – e shoqëruar edhe me argumente juridike – që synon ta dobësojë dhe eventualisht ta rrëzojë Albin Kurtin nga pozita e tij aktuale politike. Megjithatë, në një këndvështrim më të gjerë dhe më natyror të zhvillimeve shoqërore, historia shpesh ka treguar se politika dhe jeta publike funksionojnë mbi një lloj balance. Sa herë që opozita ka tentuar të ndërtojë strategji të bazuara kryesisht në obstruksione dhe jo në alternativa reale politike, këto përpjekje në fund kanë rezultuar më shumë në dëm të vetë opozitës sesa në dobësimin e kundërshtarit të saj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".