Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK fillimi i një fitoreje politike apo hyrje në një debakël zgjedhor?

Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK fillimi i një fitoreje politike apo hyrje në një debakël zgjedhor?
Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK fillimi i një fitoreje politike apo hyrje në një debakël zgjedhor?

Qani Shabani

  • 13 May 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Rikthimi i Vjosa Osmanit në një marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk paraqet ndonjë forcë të madhe politike, që do të bëjë mrekulli, por dëshmi të qartë të mungesës së një projekti të qëndrueshëm politik nga të dyja palët, si nga Vjosa Osmani ashtu edhe nga LDK-ja. Ajo që në vitin 2020 u paraqit si “ndarje parimore”, sot po kthehet në një ribashkim për interesa elektoralë, duke e bërë të qartë se konfliktet e dikurshme ishin më shumë luftë për pushtet sesa dallime të vërteta konceptuale.

 

-Pikërisht këtu nis problemi kryesor për LDK-në dhe për vetë Vjosa Osmanin: elektorati nuk harron aq lehtë. Votuesit që dikur u bindën se LDK-ja ishte “e kapur”, ndërsa Osmani “alternativa e re”, sot përballen me të njëjtët njerëz në të njëjtën tavolinë politike. Kjo krijon perceptimin e një koalicioni të ndërtuar jo mbi vizion, por mbi krizën e mbijetesës politike.

Përpjekja për ta paraqitur marrëveshjen si “unanime” nuk e fsheh realitetin se brenda LDK-së ekziston pakënaqësi e heshtur. Futja e 19 emrave të propozuar nga Osmani shihet nga shumë struktura tradicionale të partisë si imponim politik dhe si nënvlerësim i figurave që kanë qëndruar në LDK edhe në momentet më të vështira. Në politikë, heshtja nuk do të thotë gjithmonë pajtim; shpesh është vetëm pritje për momentin e reagimit.

Edhe më problematik është fakti se kjo aleancë nuk po ofron ndonjë ide të re politike. Nuk ka vizion të ri ekonomik, nuk ka platformë të qartë shtetformuese, nuk ka energji reformuese. Ka vetëm përpjekje për të rikthyer emocionalisht votën e humbur të viteve të kaluara. Por elektorati kosovar i vitit 2026 nuk voton më vetëm mbi nostalgjinë politike.

Prandaj ekziston rrezik real që kjo marrëveshje të prodhojë efekt të kundërt. Në vend të mobilizimit të elektoratit, mund të krijojë zhgënjim te një pjesë e votuesve të LDK-së dhe konfuzion te votuesit e dikurshëm të Osmanit. Kur një projekt politik humb identitetin dhe shndërrohet vetëm në kalkulim elektoral, zakonisht përfundon në dobësim e jo në ringritje.

Në këtë kuptim, rikthimi i Vjosa Osmanit në orbitën e LDK-së mund të mos jetë fillimi i një fitoreje politike, por hyrje në një debakël zgjedhor që do të tregojë se qytetarët nuk pranojnë më riciklimin e të njëjtave figura pa përgjegjësi për konfliktet dhe dështimet e së kaluarës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".