Mulliqi: Partitë politike e kanë zhgënjyer jo vetëm elektoratin, por edhe të gjithë qytetarët

Mulliqi: Partitë politike e kanë zhgënjyer jo vetëm elektoratin, por edhe të gjithë qytetarët
Mulliqi: Partitë politike e kanë zhgënjyer jo vetëm elektoratin, por edhe të gjithë qytetarët

Skender Mulliqi

  • 19 June 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Duhet theksuar se partitë politike e kanë zhgënjyer jo vetëm elektoratin, por edhe të gjithë qytetarët me krizat politike dhe krizat institucionale të prodhuara gati për dy vite me radhë. Për atë edhe kemi pasur dalje të ulët në zgjedhje, të cilat, shikuar objektivisht, janë jo legjitime. Pjesëmarrja e ulët ka prodhuar edhe rezultate të ulëta për subjektet garuese politike.

 

-Sipas rezultatit të ri zgjedhor që po krijohet nga rinumërimi i votave, Qeverinë e re të Kosovës do të mund ta formojë Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Votat e numëruara nga diaspora kanë ndryshuar edhe numrin e ulëseve, ku LVV është ngritur në mënyrë të theksuar në 53 mandate, PDK në 22, sa kishte edhe në zgjedhjet e kaluara, dhe LDK ka rënë në 18 deputetë.

Dihet se LVV nuk e ka shumicën absolute të nevojshme për ta formuar e vetme Qeverinë. Matematika e formimit të qeverisë bazohet, më duket mua, në skenarin e koalicionit me pakicat joserbe, dhe skenari tjetër për formimin e organeve të reja qeverisëse është bashkëqeverisja me LDK-në, por nuk përjashtohet mundësia e koalicionit të LVV-së edhe me PDK-në.

Beteja vendimtare fillon tani për ndërtimin e institucioneve në tavolinën e negociatave. Stabiliteti institucional është i nevojshëm më shumë se kurrë, kur dihet se me çfarë pasojash u përball Kosova, me humbjen e miliona donacioneve nga BE-ja, humbjeve të brendshme dhe humbjen e prestigjit si shtet në sytë e botës demokratike.

Të shpresojmë kësaj radhe se do të gjendet ndonjë zgjidhje për ndërtimin e organeve të reja, duke mos shkuar përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme, që mendoj se do të ishte fatale për të ardhmen e vendit.

Dhe, thënë të drejtën, duke njohur logjikën e liderëve të partive ekzistuese politike, kriza edhe mund të përsëritet, kur dihet se lufta për pushtet dhe përfitime personale prej shumë kohësh është bërë prioritet mbi çdo prioritet për këtë klasë politike.

LDK nuk ka pasur ndonjë ngritje të pritur me kthimin e Vjosa Osmanit, që në fakt ky rezultat për të është dështim. PDK ka mbetur aty ku ka qenë, më e konsoliduar, ashtu edhe AAK. LVV, edhe pse nuk ka qenë fituese absolute, rezultati i saj në krahasim me partinë e dytë dhe të tretë është i lartë.

Qytetarët me votën e tyre janë ende duke i ndëshkuar ish-pushtetarët për gabimet e lehta e të rënda në shtetndërtim dhe mirëqenie, si dhe për faktin e keqpërdorimeve që i kanë bërë.

Të shpresojmë se do të mbretërojë kësaj radhe përgjegjësia institucionale para çdo interesi tjetër. Demokracia njeh gjuhën e dialogut, e cila deri më tash është përjashtuar.

Albin Kurti bëri të ditur në disa paraqitje të tij se është i gatshëm të bisedojë me opozitën për formimin e qeverisë. Zgjedhja e presidentit nuk ishte dashur të bëhej mollë sherri ndërmjet fituesit të këtyre zgjedhjeve dhe subjekteve të tjera politike.

Nëse Vjosa Osmani ka qenë më parë pjesë e projektit politik për presidente dhe ka dhënë kontribut të çmuar, ishte dashur të pajtohej që dikush tjetër ta vazhdonte mandatin e saj, dhe do të ishte mirë që të kemi një presidente jashtëpartiake, kur dihet se kemi intelektualë që me dinjitet do ta ushtronin pozitën e presidentit të shtetit.

Ne jemi në pluralizëm politik dhe në demokraci liberale, e jo në sistem autokratik. Nuk ishte dashur që raporti Kurti–Osmani të jetë dominues, se Kosova është edhe e të tjerëve.

Nëse vazhdohet me tensione politike, pa ndonjë koordinim dhe dialog, shumë keq mund t’i kemi punët. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka mundësi që gjithë kohën të merret me çështjen se a po ndërtojmë institucione dhe stabilitet politik.

Kur jemi këtu, kanë filluar reagimet e ndërkombëtarëve kësaj radhe, të cilët po kërkojnë që me çdo kusht të kemi një qeveri të re, pa prejudikuar se si do të dukej ajo.

Të shpresojmë kësaj radhe në më të mirën…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".