
Lexoni edhe:
Mulliqi: Partitë politike e kanë zhgënjyer jo vetëm elektoratin, por edhe të gjithë qytetarët
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Arritja e Lëvizjes Vetëvendosje në 53 mandate ka rëndësi politike dhe psikologjike, por nuk e ndryshon në mënyrë thelbësore matematikën e formimit të qeverisë. Edhe me një mandat më shumë, LVV mbetet larg shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme dhe vazhdon të ketë nevojë për partnerë politikë ose mbështetje shtesë parlamentare.
-Prandaj, ky mandat mund të interpretohet më shumë si një fitore simbolike, e cila forcon narrativën e partisë fituese dhe perceptimin publik për rezultatin zgjedhor, sesa si një faktor që zgjidh automatikisht ngërçin institucional. Në fund të fundit, qeveritë nuk ndërtohen vetëm mbi numra mandatesh, por mbi shumica funksionale dhe partneritete politike të qëndrueshme.
Gara për mandatin e fundit ka më shumë peshë politike sesa numerike.
Nga aspekti aritmetik, fitimi ose humbja e një mandati nuk e ndryshon rrënjësisht pozicionin e PDK-së apo të LDK-së në Kuvend. Megjithatë, pesha politike e këtij mandati është dukshëm më e madhe sesa vlera e tij numerike.
Për LDK-në, ruajtja e mandatit të 19-të do ta përforconte perceptimin se trendi i rikthimit elektoral po vazhdon dhe se partia po e konsolidon gradualisht bazën e saj mbështetëse. Për PDK-në, ruajtja e mandatit të 22-të do të konfirmonte pozitën e saj si forca e dytë politike në vend dhe do t’i jepte asaj më shumë peshë në debatet dhe zhvillimet e ardhshme politike.
Prandaj, në lojë nuk është vetëm një mandat më shumë ose më pak, por edhe prestigji politik, mesazhi që u dërgohet votuesve dhe leximi i tendencave që mund të ndikojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare.
Diaspora po bëhet faktor gjithnjë e më vendimtar.
Procesi aktual po dëshmon qartë se vota e diasporës nuk mund të konsiderohet më një faktor periferik në politikën kosovare. Nëse votat me postë po ndikojnë drejtpërdrejt në lëvizjen e mandateve parlamentare, atëherë kemi hyrë në një fazë të re të demokracisë kosovare, ku mërgata po fiton peshë reale në përcaktimin e balancave politike.
Kjo është pasojë e natyrshme e rritjes së pjesëmarrjes së diasporës në proceset zgjedhore. Për partitë politike, ky duhet të jetë një sinjal i qartë se mërgata nuk mund të shihet vetëm si burim remitancash apo si rezervuar votash gjatë fushatave elektorale, por si një segment i rëndësishëm i elektoratit që kërkon përfaqësim dinjitoz dhe adresim serioz të interesave të saj.
Në planin afatgjatë, rritja e vazhdueshme e peshës elektorale të diasporës pritet të hapë gjithnjë e më shumë debatin për format e përfaqësimit të saj institucional në Kuvendin e Kosovës. Sa më shumë të rritet ndikimi i saj në rezultatet zgjedhore, aq më e vështirë do të bëhet shmangia e pyetjes nëse pesha e votës së mërgatës po reflektohet edhe në peshën e zërit të saj në institucionet e vendit.
Isuf Bajraktar, analist politik, publicist dhe veprimtar i mërgatës shqiptare në Suedi
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".