Ramadani i kënaqur me rezultatin në Uells, kërkon kualifikimin
Feronikeli barazoi me The New Saints 2:2 në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues të Champions League. Trajneri Zekirija Ramadani ndihet i kënaqur me barazimin, ndërsa kërkon lojë më të guximshme në ndeshjen e kthimit pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, ka folur pas barazimit të së martës, ndaj TNS, me rezultat 2-2.
Feronikeli ishte në disavantazh prej dy golave, por arriti të nxjerrë një barazim tejet të rëndësishëm në minutat e fundit të takimit.
Ramadani thotë të jetë tejet i kënaqur me rezultatin, sidoqoftë kërkon lojë më të guximshme nga minuta e parë, njofton uebfaqja zyrtare e Feronikelit.
“Ishte ndeshje e jashtëzakonshme, patjetër që jam i kënaqur me rezultatin, por dua që të luajmë më guximshëm që nga minuta e parë e ndeshjes”
“Treguam se ekipi e di se çka dëshiron edhe para ndeshjes isha i kënaqur me një barazim me gola, por mënyra se si erdhi barazimi e bëri më të veçantë”
“Secilën ndeshje po tentojmë çdo herë e më shumë ta jetësojmë filozofinë e lojës sonë, është normale që na mungon eksperienca, por ajo fitohet në duele të tilla. Nga pikat e mira të ndeshjes, dua të veçoj lojën në ajër, ku fituam shumicën prej dueleve, sidomos gjatë fundit të takimit”
“Tani ky rezultat është më i favorshëm për ne, por duhet të jemi tejet të kujdesshëm, pasi luajmë ndaj një skuadre që ndëshkon çdo gabim. Në ndeshjen e dytë do të doja të shënojmë në fillim, e pastaj të luajmë një lojë të kujdesshme”, tha Ramadani.
(Kosova Sot Online )