Manchester United dhe Sevilla përballen sonte për një vend në finale

  • A.P /
  • 16 August 2020 - 10:54
Manchester United dhe Sevilla përballen sonte për një vend në finale

Manchester United dhe Sevilla do të përballen sonte në gjysmëfinale të Ligës së Evropës në Këln.

Sevilla e siguroi një vend në mesin e katër skuadrave më të mira në edicionin e sivjetmë të garës dytësore evropiane pas fitores minimale kundër Wolves në çerekfinale, derisa Unitedi e mundi 1:0 Copenhagen për t’iu bashkuar gjigantit spanjoll.

Klubi i La Ligës e fitoi tre herë këtë trofe nga viti 2014 deri më 2016, por sezonin e kaluar u eliminua në rundin e 16 më të mirëve pas humbjes nga Slavia Prague.

Megjithatë, Sevilla do ta harrojë atë zhgënjim sonte në gjysmëfinale kundër Unitedit, sepse vjen në formë fenomenale për shkak se është e pamposhtur në 19 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Unitedi e ka siguruar një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, por Ole Gunnar Solskjaer dëshiron ta mbyllë sezonin me trofeun e Ligës së Evropës.

Edhe gjiganti anglez është në formë shumë të mirë, pasi e ka pësuar vetëm një humbje në 24 ndeshjet e fundit.

Unitedi e fitoi Ligën e Evropës në sezonin 2016 /17 dhe tani synon ta përsërisë suksesin e njëjtë. 

(Kosova Sot Online)