Kevin de Bruyne shpallet lojtari më i mirë i vitit në Premierligë

  • A.P /
  • 16 August 2020 - 11:19
Kevin de Bruyne shpallet lojtari më i mirë i vitit në Premierligë

Mesfushori i Manchester City, Kevin de Bruyne, është shpallur lojtari më i mirë i sezonit 2019/20 në ligën elitare angleze, Premierligë.

Ylli belg e mposhti treshen e Liverpoolit Jordan Henderson, Sadio Mane dhe Trent Alexander-Arnold, si dhe sulmuesin e Southampton Danny Inga, portierin e Burnley Nick Pope dhe yllin e Leicester City Jamie Vardy, për këtë trofe.

De Bruyne ishte lojtari i vetëm i Manchester City që u nominua për këtë çmim, pasi skuadra e Pep Guardiolës e humbi herët luftën për titull ndaj Liverpoolit, duke e dorëzuar kurorën që e mbajti në dy sezonet paraprake.

Por, pavarësisht se City e humbi herët luftën për titull, De Bruyne e shijoi sezonin e vet më të mirë në Premierligë që prej se iu bashkua të kaltërve nga Mançesteri më 2015.

Përveç se i dhuroi 20 asiste – duke e barazuar rekordin e Thierry Henry nga viti 2003 – De Bruyne i shënoi edhe 13 gola duke i ndihmuar Cityt ta mbyllë sezonin në vendin e dytë dhe ishte golashënuesi i dytë më i mirë i klubit për vitin e tretë radhazi.

Alexander-Arnold i Liverpoolit e fitoi çmimin lojtari më i mirë i ri i vitit, ndërsa trajneri Jurgen Klopp u shpall trajneri më i mirë i vitit. 

(Kosova Sot Online)