“Vendimin për t’u larguar nga Juventusi e mora në karantinë”

  • S.A /
  • 17 August 2020 - 10:49
“Vendimin për t’u larguar nga Juventusi e mora në karantinë”

Pas dështimit të radhës në Europë, Juventusi shkarkoi trajnerit Sarri dhe po përpiqet të nisë një cikët të ri me Andrea Pirlon, ndërsa futbollisti i parë që i dha lamtumirën klubit bardhezi, ishte francezi Blaise Matuidi.

Ky i fundit gjeti gjuhën e përbashkët me drejtuesit për të prishur kontratën dhe vendosi të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te skuadra në pronësi të David Beckham, Interi i Miamit.

Në një intervistë për mediat italiane, Matuidi zbulon se vendimin për t’u larguar nga Juventusi dhe për t’u transferuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka marrë gjatë ditëve që ka qëndruar në karantinë me familjen e tij.

“Isha futbollisti i parë që u infektova te Juventusi dhe gjatë dy muajve në karantinë vendosa për transferimin në SHBA. Inter Miami më kërkoi në janar dhe unë refuzova, por kur u bënë të gjallë sërish në korrik, vendosa të pranoj ofertën e tyre. Gjatë qëndrimit me familjen kuptova se kam nevojë për të qenë më pranë tyre dhe mendova se SHBA-të janë zgjidhja më e mirë për të ruajtur raportin mes futbollit e familjes”, u shpreh francezi.

Sa i përket Sarrit, Matuidi e cilësoi si një njeri që punon shumë për të përmirësuar përgatitjen taktike të skuadrës, ndërsa evidentoi edhe anën njerëzore të trajnerit italian, në një moment të vështirë për francezin.

“Me Sarrin nuk kam pasur asnjëherë probleme. Ai është një njeri që punon shumë në aspektin taktik, por mendoj se është pak i trembur dhe i shmang përballjet me lojtarët. Gjithsesi gjatë kohës që isha i infektuar, më telefononte çdo ditë për t’iu interesuar mbi shëndetin tim dhe këtu zbulova anën e tij njerëzore”, deklaroi Matuidi.

Më pas mesfushori francez foli me superlativa për Ronaldon, duke e cilësuar si një nga futbollistët më punëtorë me të cilët ka punuar, ndërsa pranoi se nuk ka folur farë me Pirlon dhe se ky i fundit nuk ka ndikuar në vendimin për të lënë Juven.

(Kosova Sot Online )