De Gea thotë se është numri 1 i Man United, pavarësisht gabimeve trashanike

  • S.A /
  • 18 August 2020 - 08:51
De Gea thotë se është numri 1 i Man United, pavarësisht gabimeve trashanike

David de Gea është i bindur se do të vazhdojë të jetë numri 1 në portën e Manchester Unitedit, përkundër numrit të madh të gabimeve trashanike këtë sezon.

Ndaj trajnerit të Unitedit Ole Gunnar Solskjaer është ushtruar trysni për ta lënë rezervë portierin spanjoll pas gabimeve të tij që i kanë kushtuar skuadrës.

Pas gabimeve që i bëri kundër Chelseat në gjysmëfinale të FA Cup, ka pasur shumë thirrje që Dean Henderson, i cili e kaloi sezonin e fundit në huazim te Sheffield United, të rikthehet në klub dhe të bëhet portieri i parë.

Henderson pranon të rikthehet në Old Trafford vetëm nëse i ofrohet garanci se do të jetë titullar, dhe me Chelsean që ka shprehur interesim për të, Solskjaer përballet me një dilemë se çfarë të bëjë tani.

Por De Gea, i cili është shpallur katër herë lojtari më i mirë i vitit i Unitedit, thotë se s’i frikësohet konkurrencës dhe beson se do ta ruajë vendin e titullarit.

“Unë i besoj vetes. Unë kam treguar cilësi gjatë këtyre viteve, prandaj gjithmonë jam në dispozicion të trajnerit”, tha De Gea.

“Gjithmonë jam i gatshëm të luaj dhe të tentoj ta ndihmoj ekipin si gjithmonë, siç e kam bërë gjithmonë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )