Pas anulimit të ndeshjes Lincoln-Prishtina, FFK shpreson në vendim të drejtë të UEFA-s

  • A.P /
  • 18 August 2020 - 19:26
Pas anulimit të ndeshjes Lincoln-Prishtina, FFK shpreson në vendim të drejtë të UEFA-s

Ndeshja Lincoln Red Imps-FC Prishtinë që ishte paraparë të luhet sonte në orën 18 është shtyrë derisa gjatë ditëve në vijim UEFA do të merr një vendim për këtë ndeshje pasi që tetë lojtarë të Prishtinës rezultuan pozitivë me COVID-19, sipas testimeve të një instituti spanjoll që gjendet afër Gjibraltarit

Pas kësaj, autoritetet e këtij vendi, që është koloni e Britanisë së Madhe, kanë urdhëruar anulimin e ndeshjes kurse UEFA pritet që të merr vendim se ku do të zhvillohet ndeshja.

Por, zhvillimi i ndeshjes mund të zhvillohet në një vend tjetër, ku si opsione janë cilësuar Hungaria, Qipro, Greqia, etj.

Pas kësaj ka reaguar FFK ku shkruan se ata shpresojnë në një vendim të drejtë të organizatës së futbollit Europian.

Më poshtë reagimi i plotë i FFK-së i bërë në faqen zyrtare të saj:

Ndeshja ndërmjet Lincoln Red Imps dhe Prishtinës, e paraparë të zhvillohej sot në orën 18:00, është anuluar pak kohë para fillimit të saj. Një gjë e tillë ndodhi pasi 8 futbollistë të Prishtinës dolën pozitiv në Covid-19, në rezultatet e paraqitura nga laboratori i licencuar nga UEFA në Spanjë.

Përkundër këtij fakti dhe mungesës së disa prej futbollistëve titullarë që rezultuan pozitiv, Prishtina ishte e gatshme për ta zhvilluar ndeshjen me lojtarët që kishte në dispozicion, gjë e cila rekomandohet edhe me rregulloren e re të UEFA-s për ndeshjet gjatë pandemisë. Megjithatë, ishin autoritetet e Gjibraltarit që e pamundësuan zhvillimin e ndeshjes dhe kësisoj ndeshja u pezullua.

FFK konsideron që kjo ndeshje është dashur të luhet dhe do t’i qëndrojë përkrah klubit të Prishtinës që vendimi i UEFA-s të jetë i drejtë dhe i arsyeshëm dhe të mos jetë në dëm të klubit tonë. Ne, si federatë dhe klubet tona jemi në situatë të palakmueshme, duke pasur parasysh faktin se UEFA nuk e ka licencuar asnjë laborator për kryerjen e testeve për Covid-19 në Kosovë, teksa në vendet fqinje ku janë të licencuar laboratorët e tillë nuk është e mundshme lëvizja për shkak të mbylljes së kufijve.

Po ashtu, është e çuditshme se si rezultuan 8 futbollistë pozitiv, kur para nisjes për në Gjibraltar në testet e kryera nga IKSHPK të gjithë futbollistët kanë rezultuar negativ. FFK shpreson që kësaj radhe organet e UEFA-s do të jenë më vigjilente dhe do ta kenë parasysh situatën në të cilën ndodhemi në pandemi dhe në fund do të marrin vendim të merituar, duke pasur parasysh se FC “Prishtina” ishte pro zhvillimit të ndeshjes dhe kishte numër të mjaftueshëm të futbollistëve të gatshëm për lojë.


(Kosova Sot Online)