Nuk ka rahati të FC Prishtina, IKSHP konfirmon një rast pozitiv me COVID-19 në ekipin e dytë të Prishtinës

  • A.P /
  • 20 August 2020 - 19:42
Nuk ka rahati të FC Prishtina, IKSHP konfirmon një rast pozitiv me COVID-19 në ekipin e dytë të Prishtinës

Dje Prishtina e mori dritën e gjelbër për të luajtur në Europa Ligë, edhe pse me një vendim të çuditshëm të UEFA, ku do të duhet ta formojë një ekip të ri për të luajtur kundër Lincoln. Kurse sot gjatë testimeve që ka bërë në IKSHP nga 27 persona, një person ka rezultuar pozitiv me koronavirus . IKSHP po ashtu ka treguar se nga testimet e djeshme, pas kthimit të Prishtinës nga Gjibraltari nga skuadra që kishte udhëtuar kanë rezultuar pozitivë nëntë raste  

Në një komunikatë për media të IKSHP-së të lëshuar në orët e vona është konfirmuar edhe një rast i ri me COVID-19 në skuadrën që Prishtina e krijoi gjatë ditës së djeshme.

IKSHP po ashtu është arsyetuar për rastet e reja që kanë dalë të kjo skuadër ditë më parë, kurse sot ka thënë se ka testuar, siç kanë thënë ata, Prishtinën 2 që do ta drejtojë Ramiz Krasniqi.

“IKSHPK ka qenë në kontakt të afërt me menaxhmentin e KF Prishtina gjatë muajit të fundit me qëllim të ofrimit të shërbimeve të testimit për SARS-CoV-2 për anëtarët e saj. Me kërkesën e KF të Prishtinës fillimisht me datën 05.08.2020 janë testuar 34 anëtarë të saj nga të cilët shtatë kanë rezultuar pozitiv, testim ky i kryer para fillimit të përgatitjeve për ndeshjen në Gjibraltar”, thuhet në komunikatë.

Tutje, IKSHP ka treguar edhe për testimet e tjera të FC Prishtinës derisa rezulton që nëntë anëtarë të këtij klubi kanë rezultuar pozitivë edhe në testet e IKSHP-së që janë mbajtur më 19 gusht.  

“Gjithashtu me datën 15.08.2020 janë testuar 44 antarë te KF Prishtina nga të cilët nëntë kanë rezultuar pozitiv. Pas ritestimit të tyre me datën 16.08.2020, tre kanë rezultuar pozitiv, nga të cilët dy ishin të raste të reja të konfirmuara (përveç atyre të datës 05.08.2020). Me datën 19.08.2020 janë testuar 40 anëtarë të KF Prishtina, nga të cilët 9 rezultuan pozitiv”, kanë thënë ata.

Sipas kësaj kronologjie shihet që COVID 19 ka qarkulluar që nga fillimi i këtij muaji në ekipin prishtinas.


(Kosova Sot Online)