Mbappe e paralajmëron Bayernin: Jam këtu për ta shkruar historinë e futbollit francez

  • A.P /
  • 23 August 2020 - 09:51
Mbappe e paralajmëron Bayernin: Jam këtu për ta shkruar historinë e futbollit francez

Kylian Mbappe ka thënë se i është bashkuar Paris Saint-Germainit për ta shkruar historinë duke e fituar Ligën e Kampionëve, në prag të takimit final në këtë garë me Bayern Munich.

PSG-ja, e cila e mundi RB Leipzigun në gjysmëfinale për ta arritur finalen e parë në Ligën e Kampionëve, do të përballet me gjigantin e Bundesligës Bayern në finale sonte në Lisbonë.

Mbappe e kishte arritur gjysmëfinalen e kësaj gare me Monacon në vitin 2017, para se t’i bashkohej PSG-së për një shumë të majme parash.

21-vjeçari duket në formë shumë të mirë që prej rikthimit nga lëndimi i nyjës së këmbës dhe është i vendosur për t’ia fituar PSG-së garën më të madhe evropiane për klube për herë të parë në historinë e vet.

“Pikërisht kjo është arsyeja pse jam këtu”, tha Mbappe në një konferencë për media të shtunën.

“Unë gjithmonë kam dashur ta shkruaj historinë e futbollit francez. E kam edhe një mundësi tjetër për ta bërë këtë të dielën”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)