Zvezda mbërrin në Tiranë, Policia masa të rrepta për të garantuar siguri ekipit serb

  • G.G /
  • 24 August 2020 - 15:25
Zvezda mbërrin në Tiranë, Policia masa të rrepta për të garantuar siguri ekipit serb

Avioni i ekipit të Crvena Zvezda mbërriti në Aeroportin “Nënë Tereza” mesditën e sotme.

Dalja “Vip” e Rinasit ishte rrethuar nga forca të shumta policie të cilat kishin marrë masa për eskortimin e “Yllit të Kuq të Beogradit”.

Për t’i paraprirë çdo incidenti si ai i vitit 2015 kur autobusi i kombëtares serbe të futbollit u godit me gurë nga një adoleshent, uniformat blu kishin angazhuar shërbime edhe në rrugët e kryeqytetit deri në mbërritjen në hotel ku po ashtu është planifikuar ruajtje gjatë gjithë kohës së qëndrimit.

Crvena Zvezda do të përballet të martën në orën 20:00 në “Air Albania” me Tiranën për turin e dytë të Uefa Champions League.

Ndonëse në një stadium të boshatisur për shkak të pandemisë, masa të tjera sigurie janë ndërmarrë nga Policia e Tiranës ndërkohë që përplasjet në distancë mes tifozërive përmes rrjeteve sociale, nuk kanë munguar duke ndezur takimin mes serbëve dhe kampionëve të Shqipërisë. 

(Kosova Sot Online)