Prishtina: Dalin negativë 8 futbollistët që rezultuan pozitivë me Covid-19 në Gjibraltar

  • S.A /
  • 24 August 2020 - 15:37
Prishtina: Dalin negativë 8 futbollistët që rezultuan pozitivë me Covid-19 në Gjibraltar

Klubi i Prishtinës ka njoftuar se kanë dalë negativë në ritestim tetë futbollistët e saj që kishin rezultuar pozitivë në testimin e bërë në Gjibraltar, duke bërë që ndeshja parakualifikuese për Ligën e Evropës kundër Lincoln Red Imps të anulohej të shtunën.

Bardhekaltrit u rikthyen në Prishtinë të shtunën pak para mesnatës, pasi ngjashëm si në fillim të javës, edhe të shtunën ndeshja me Lincoln në Gjibraltar u anulua sepse tetë futbollistë të tyre dolën pozitiv në testet për Covid-19.

Fituesja e Kupës së Kosovës e krijoi një ekip të ri me lojtarë të huazuar nga klubet rivale të Superligës, por edhe ai i dështoi në testet për Covid-19 në Gjibraltar.

Prishtina ka ngritur dyshime në saktësinë e testeve në Gjibraltar, për shkak se njëri prej futbollistëve të saj të shëruar nga Covid-19, i cili ishte konfirmuar negativ në Kosovë, doli pozitiv në testin e bërë në Gjibraltar.

Në një njoftim në rrjetet sociale të hënën, bardhekaltrit njoftuan se lojtarët e testuar pozitivë në Gjibraltar kanë dalë negativ dy ditë më vonë në Prishtinë.

“Tetë futbollistët e ritestuar dalin negativ. Dje skuadra ka ritestuar tetë futbollistët e dal pozitiv në Gjibraltar dhe sërish pas marrjes së mostrave nga IKSHPK, futbollistët kanë rezultuar negativ”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

Prishtina i është drejtuar Komisionin e Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s me argumentet e veta në lidhje me ndeshjen kundër Lincoln Red Imps – e cila u anulua dy herë brenda javës, për shkak të rasteve të shumta me koronavirus në ekipin kosovar.

Bardhekaltrit janë të bindur në një vendim të favorshëm nga shtëpia e futbollit evropian.

“FC Prishtina ka dorëzuar tërë materialin e saj të provave me ndihmën edhe të avokatëve sportiv evropian. Klubi është në pritje nga vendimi që do të marr Komisioni i Etikës dhe Disiplinës pranë UEFA-s. FC Prishtina vazhdon të besojë se çdo vendim i UEFA-s do të jetë i drejtë”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online )