Gjykata Supreme e kthen në rigjykim rastin e Agim Ademit

  • G.G /
  • 25 August 2020 - 11:52
Gjykata Supreme e kthen në rigjykim rastin e Agim Ademit

Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim rastin e Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademit, i cili ishte dënuar me nëntë muaj burim nga Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2019, për veprën penale detyrim në tentativë.

Korrik të vitit 2019 Ademi u dënua më nëntë muaj burgim për një vepër penale nga viti 2012 që nuk kishte ndërlidhje me futboll dhe vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës u mbajt në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit në shkurt të këtij viti, pas ankesës së Ademit.

Por Gjykata Supreme ka vendosur ta shpallë të pavlefshëm dënimin e tij dhe ta kthejë tërë lëndën në aktgjykim.

 “Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të të dënuarve A.A., dhe M.R., për shkak të veprës penale detyrimi në tentativë, ka aprovuar si të bazuara kërkesat e tyre për mbrojtje të ligjshmërisë dhe çështjen e ka kthyer për rigjykim, në shkallë të parë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Supremja shtoi: “Aprovohen si të bazuara kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësit të të dënuarit M. R. dhe ajo e të dënuarit A.A., kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 datë 5 korrik 2019 dhe ai i Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 datë 12 shkurt 2020 anulohen kurse çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”.

(Kosova Sot Online)