Drejtori sportiv i Barçës: Duam ta ndërtojmë ekipin përreth Messit

  • S.A /
  • 26 August 2020 - 14:18
Drejtori sportiv i Barçës: Duam ta ndërtojmë ekipin përreth Messit

Drejtori sportiv i Barcelonës, Ramon Planes, ka thënë se klubi nuk dëshiron ta lërë Lionel Messin të largohet, duke nënvizuar se ai, president Josep Maria Bartomeu dhe trajneri Ronald Koeman, dëshirojnë ta ndërtojnë ekipin e ri të Barçës përreth lojtarit më të mirë në botë. Messi e tronditi Barçën dhe botën e futbollit të martën kur e njoftoi bordin e klubit se ka për qëllim të largohet këtë verë, pavarësisht se ka marrëveshje me klubin për të qëndruar deri në verën e vitit 2021. Duke e komentuar kërkesën e Messit për t’u larguar, Planes tha sot në një konferencë për media: “E vërteta është se ishte një lajm i rëndësishëm. Por ajo çfarë trajneri Koeman, presidenti dhe unë si drejtor sportiv duam është ta ndërtojmë një ekip fitues përreth lojtarin më të mirë në botë dhe në histori”.

I pyetur nëse vendimi i Messit është i pakthyeshëm, ai shtoi: “Ne nuk jemi duke e menduar asnjë largim të tij me pajtim kontraktual, sepse duam që ai të qëndrojë. Për Messin duhet të flasësh me respektin më të madh, sepse ai është lojtari më i mirë në botë dhe në histori.

“Martesa e Messit me Barçën është e gjatë dhe ka qenë e lumtur. Ne brenda klubit duhet të luftojmë që ajo të vazhdojë”, nënvizoi ai.

Manchester City, Interi dhe Paris Saint-Germaini janë në garë për ta rrëmbyer superyllin argjentinas këtë verë, por duhet ta derdhin një shumë të majme parash për ta arritur qëllimin, sipas gazetës spanjolle “AS”.

Në marrëveshjen e Messit me Barçën ekziston një klauzolë që ia mundëson atij largimin si lojtar i lirë çdo vit. Por për ta arritur këtë, argjentinasi duhet ta njoftojë klubin nga muaji maj deri në qershor, gjë që ai nuk e ka bërë.Por këshilltarët ligjorë të 33-vjeçarit argumentojnë se afati kohor i klauzolës duhet të shtyhet në përputhje me shtyrjen e sezonit, i cili përfundoi pas finales në Ligën e Kampionëve mes Bayern Munich dhe PSG më 23 gusht. Messi dëshiron sfidë të re, por e kupton se vetëm shumë pak klube do të jenë në gjendje financiare ta afrojnë atë, prandaj edhe po e kërkon mundësinë për t’u larguar pa asnjë qindarkë, edhe pse e ka edhe një vit kontratë me klubin.

(Kosova Sot Online )