RB Leipzig heq dorë përfundimisht nga Rashica, ylli kosovar gjithnjë e më afër transferimit në Angli

  • S.A /
  • 27 August 2020 - 09:57
RB Leipzig heq dorë përfundimisht nga Rashica, ylli kosovar gjithnjë e më afër transferimit në Angli

Milot Rashica nuk do të transferohet tek skuadra gjermane RB Leipzig.

Sulmuesi kosovar prej kohësh kishte arritur marrëveshje personale me këtë klub, por ka qenë Leipzig dhe Werder Bremen që nuk janë marrë vesh për çmimin e lojtarit.

Leipzig kishte bërë një ofertë zyrtare prej 15 milionë euro, plus tri të tjera në formë bonusesh, por që kjo ofertë nuk është pranuar nga Werder.

Skuadra aktuale e Rashicës i ka bërë të qartë klubeve të interesuara për lojtarin se kërkon vetëm 25 milionë euro dhe asnjë më pak.

Tani sipas asaj që ka raportuar Sport Bild, Leipzig është tërhequr përfundimisht nga gara për transferimin e Rashicës.

Përkundër që kanë pasur marrëveshje personale me lojtarin, gjysmëfinalistët e Ligës së Kampionëve nuk janë të gatshëm të rritin ofertën e tyre.

E ardhmja e kosovarit tani duket gjithnjë e më afër Anglisë, pasi transferimi te Leipzig është thuajse i pamundur.

Aston Villa mbetet skuadra favorite për të nënshkruar me Rashicën, pasi ky klub anglez është gati t’i përmbush kërkesat e Werderit.

Gjithsesi në garë për lojtarin mbeten edhe skuadra tjera angleze si West Ham United, Brighton dhe Wolverhampton Wanderers.

(Kosova Sot Online )