Zyrtare: Llapi kompleton skuadrën me dyshen e Prishtinës

  • G.G /
  • 27 August 2020 - 12:58
Zyrtare: Llapi kompleton skuadrën me dyshen e Prishtinës

Ahmed Januzi dhe Ahmet Haliti kanë lënë Prishtinën për t’iu bashkuar Llapit. Klubi llapjan ka konfirmuar se me ta, ka mbyllur edhe merkaton pr këtë verë.

Tashmë është zyrtare, Llapi ia ka rrëmbyer Prishtinës dy super futbollistë, Ahmed Januzin dhe Ahmet Halitin.

Lajmin e ka bërë të ditur klubi në faqen zyrtare në Facebook, derisa dha sinjale se s’do të ketë prurje tjera pasi me blerjen e këtyre dy futbollistëve – Llapi kompleton skuadrën për sezonin 2020/21, raporton Gazeta Express.

Njoftimi i Llapit në Facebook:

KF Llapi mbyll merkaton verore me zyrtarizimin e super dyshes, Ahmed Januzi dhe Ahmet Haliti ë

Januzi e Haliti i bashkohen skuadrës duke nënshkruar kontratë 1 vjeçare!

Podujevë, 27 gusht 2020 – Me ardhjen e Ahmed Januzit dhe Ahmet Halitit, KF Llapi edhe zyrtarisht e ka përfunduar merkaton verore dhe tashmë ndihet e kompletuar dhe e sigurtë para fillimit të edicionit të ri të Superligës. Dyshja, Januzi e Haliti në edicionin e fundit ishin pjesë e Prishtinës, me të cilën arritën të fitonin Kupën e Kosovës dhe nga sot edhe zyrtarisht do jenë pjesë e Llapit, ku që të dy nënshkruan kontratë 1 vjeçare me klubin.

Të dy futbollistët ishin të piketuar nga Shefi i shtabit teknik, Tahir Batatina, i cili në projektin madhor të Llapit, Januzin e Halitin i shihte të domosdoshëm për skuadrën. Por këtë mision e bënë të mundur, vëllezërit dhe donatorët kryesor të klubit. Presidenti, Beqir Batatina, zv. Presidenti, Amrush Batatina dhe Drejtori ekzekutiv, Bejtush Batatina, në koordinim me Shefin e shtabit teknik, arritën që ta sjellin në klub dy futbollistë të njohur për cilësitë dhe përvojën e madhe që kanë mbi supe.

Ahmed Januzi është i njohur për llapjanët. Sulmuesi i qendrës, Januzi ishte golashënuesi më i mirë i Llapit ku kishte arritur të realizonte 13 gola dhe 5 asistime gjatë edicionit 2018/19, Në edicionin e fundit Januzi ishte pjesë e Prishtinës, me të cilën arriti të fitonte Kupën e Kosovës, duke qenë kyç edhe në këtë skuadër, pasi ishte golashënuesi më i mirë i saj, me 15 gola e 6 herë asistues. Januzi ka përvojë të madhe në futbollin kosovar dhe atë ndërkombëtar pasi numëron mbi 169 paraqitje për Vorskla Poltava (28 gola) si dhe ka vishur edhe fanellën e Besës së Kavajës në Shqipëri, nga e cila skuadër kishte kaluar tek Vorskla Poltava në Ukrainë.

Ahmet Haliti është lojtar kampion. Përvoja e tij e madhe dhe stabiliteti që i jep mbrojtjes kur luan, e bëjnë atë ndër qendërmbrojtësit më të mirë në vend. Ai rikthehet në vendlindje, të jap kontributin e tij drejt ambicieve madhore që ka klubi këtë edicion!

Haliti është paraqitur me mjaft sukses në skuadrat elitare në Kosovë e Shqipëri. Ka qenë pjesë e KF Besianës, KF Hysit, KS Besa e Kavajës, FC Hajvalia, FK Bylis Ballsh, FC Feronikeli e së fundmi tek FC Prishtina, me të cilën fitoi Kupën e Kosovës në dy edicione 2017/18 dhe 2019/20.

KF Llapi mezi pret fillimin e kampionatit dhe është e gatshme për sfidat e saj ë

 

ZYRTARE: KF Llapi mbyll merkaton verore me zyrtarizimin e super dyshes, Ahmed Januzi dhe Ahmet Haliti ë Januzi e Haliti...

Publiée par K.F. Llapi sur Jeudi 27 août 2020

(Kosova Sot Online)