Liga e Evropës: Asnjë rast me Covid-19, Gjilani merr pëlqimin për zhvillimin e takimit me Apoelin

  • E.K /
  • 27 August 2020 - 13:42
Liga e Evropës: Asnjë rast me Covid-19, Gjilani merr pëlqimin për zhvillimin e takimit me Apoelin

Gjilani e ka marrë pëlqimin për zhvillimin e ndeshjes kualifikuese kundër Apoelin për pjesëmarrje në Ligën e Evropës, pasi nuk i është kthyer asnjë rezultat pozitiv në testet për koronavirus.

Gjilani do të kërkojë të mbetet në garë për t’u kualifikuar në Ligën e Evropës për herë të parë në histori të klubit qysh në tentimin e parë, sot në një ballafaqim me Apoelin në Prishtinë.

Nënkampioni i Kosovës është nikoqir i klubit nga Qipro në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet, në takimin e rrethit të parë kualifikues për pjesëmarrje në Ligën e Evropës.

“Sport Club ‘Gjilani’ njofton se pas testimeve të djeshme në laboratorin e licensuar të UEFA-së, në Shqipëri “Synlab”, e gjithë skuadra e Gjilanit ka rezultuar negativ. Pas konfirmimit të rezultateve sot, skuadra e Gjilanit merr dritën e gjelbër që në mbrëmjen e sotme të zhvilloj takimin e rundit të parë në Europa Ligë, kundër APOELIT të Nikozisë”, thuhet në një njoftimin të Gjilanit në Facebook.

Gjilani debutoi në kualifikime për një garë evropiane javën e kaluar, duke triumfuar 3:1 kundër Tre Penne në rrethin parakualifikues, në San Mario.

Takimi në Fadil Vokrri nis në orën 19:00.

Gjilani është në formë të lartë, pasi i ka fituar katër prej pesë ndeshjeve të fundit.

Ndërsa vizitorët nga Qipro nuk kanë fituar në pesë ndeshjet e fundit, duke i regjistruar dy humbje dhe tri barazime.

Të kuqtë nga Gjilani janë skuadra e vetme e mbetur në garë për ta siguruar pjesëmarrjen një turne evropian për sezon, pasi Drita dhe Prishtina i humbën ndeshjet e tyre përkatëse në tavolinë.

Kampionia e Kosovës, Drita, dhe fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina, u eliminuan për shkak të rasteve të shumta me koronavirus në skuadrat e veta përkatëse. 

(Kosova Sot Online)