Vojvoda: Na ka munguar Kosova, duam tri pikë kundër Moldavisë

  • A.P /
  • 31 August 2020 - 23:19
Vojvoda: Na ka munguar Kosova, duam tri pikë kundër Moldavisë

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” stërvitjen e parë në prag të dy ndeshjeve të edicionit të ri të Ligës së Kombeve kundër Moldavisë dhe kundër Greqisë.

Në stërvitjen e parë kanë qenë të pranishëm 15 futbollistë: Aro Muric, Visar Bekaj, Amir Rrahmani, Anel Rashkaj, Ibrahim Dresevic, Bersant Celina, Atdhe Nuhiu, Florent Hadërgjonaj, Florent Hasani, Besar Halimi, Mërgim Vojvoda, Bernard Berisha, Valon Berisha, Fidan Aliti dhe Arbër Zeneli.

Ky i fundit vetëm e ndoqi stërvitjen e bashkëlojtarëve pasi kishte arritur në orët e vona të pasdites, derisa Bernard Berisha, Valon Berisha e Fidan Aliti bën vrapime dhe stërvitje të lehta, duke pasur parasysh se kanë luajtur të dielën.

Ndërkohë, pjesa tjetër e futbollistëve përveç vrapimeve dhe ushtrimeve fizike morën këshilla për skema të ndryshme të lojës nga përzgjedhësi Bernard Challandes, teksa angazhimi dhe motivi i lojtarëve për t’u rikthyer te fitorja është i madh pas një periudhe të gjatë mungese në kombëtare si shkak i pandemisë.

Stërvitjen nga afër si zakonisht e ka ndjekur edhe presidenti Agim Ademi.

Dardanët do ta mbajnë stërvitjen e radhës të martën në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Para ndeshjes me Moldavinë, ka folur i sapotransferuari në Serie A te Torino, Mërgim Vojvoda.

“Emocionet janë të mira si gjithmonë, na ka munguar shumë Kosova”, u shpreh ai.

“Jemi në një situatë të jashtëzakonshme, por duhet të ecim para dhe të punojmë, së pari fizikisht e më pas taktikisht, besoj këto ditë do të punojmë në këto aspekte”. Ndeshja kundër Moldavisë dhe Greqisë? Presim natyrisht fitore. Moldavia normal nuk është si Greqia, por është kombëtare e mirë kështu që duhet të luajmë mirë dhe të marrim tri pikë”.

(Kosova Sot Online)