Edhe kampionia e Kosovës kërkon sqarime nga FFK për tenderin e dyshimtë dhënë Devollëve

  • E.K /
  • 02 September 2020 - 14:33
Edhe kampionia e Kosovës kërkon sqarime nga FFK për tenderin e dyshimtë dhënë Devollëve

Klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë mbetur vetëm spektatorë në procesin e shitjes së drejtave televizive të kampionatit të ri që nis më 12 shtator nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndonëse klubet natyrisht se janë akterët kryesorë në futbollin kosovar.

Media të martën raporti se “Artmotion” – që është në pronësi të Devollëve, të cilët nuk lënë tender pa e fituar – këto ditë pritet të shpallet fitues i drejtave televizive nga ana e FFK-së, përmes një procesi shumë të dyshimtë.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e kishte hapur tenderin më 5 gusht. Kompanitë mediale kishin afat deri më 12 gusht të konkurronin. Por, fituesi nuk është shpallur as disa javë pas mbylljes së afatit të tenderimit. Express ka mësuar se një komision i FFK-së e ka përgatitur një raport nga ky proces, përmes së cilit e rekomandon Komitetin Ekzekutiv të FFK-së që ta shpall “Artmotion” fitues të transmetimit të kampionatit të ri.

Fitorja e “Artmotion” në futbollin kosovar përflitej muaj më herët para hapjes së tenderit. Po ashtu, ofertat financiare janë mbajtur të fshehta për disa ditë. Ndërsa, praktikat dhe ligjet në Kosovës i obligojnë instucionet që ofertat financiare me i çelë në prezencë të palëve. Dhe, kjo i shton dyshimet mbi korrektësinë e këtij procesi.

Dyshime mbi këtë proces ka shprehur edhe Trepça ’89, klub ky me nam në Superligë. Klubi nga Mitrovica deklaroi se nuk i është dhënë asnjë informatë rreth këtij procesi, derisa kërkon ri-tenderim.

I anashkaluar ndihet edhe kampionia në fuqi e Kosovës, Drita. Drejtori Valon Zymberi i bënë thirrje FFK-së të bëhet transparente.

“Deri më tani nuk kemi informacione rreth këtij procesi. Unë, dhe ne si klub, shpresojmë dhe besojmë shumë se Federata do të na ftojë në takim para se ta shpall fituesin apo para se ta nënshkruaj kontratën dhe ta bëjë para nesh transparent krejt procesin, madje të na njoftoj edhe rreth detajeve. Vetëm pas kësaj, me një pajtueshmëri të plotë, mund ta shpall fituesin. Në të kundërtën, nëse i grahin në të veten atëherë ne nuk do të mund të pajtohemi”, deklaroi Zymberi.

“FFK-ja duhet ta dijë, besoj se edhe e din, që klubet bëjnë shfaqje dhe ato shfaqje tona po i shet, kështu që është dashtë të jemi në koordinim nga fillimi i procesit. Për neve si Dritë ndoshta nuk ka shumë rëndësi shuma e parave sa ka rëndësi çka ofron ofertuesi, çfarë programi, çfarë promovimi të futbollit. Pra, procesi është më i thellë sesa që mendohet veç te paraja. Deri tash ne këto nuk i dimë”, shtoi ai.  

Përpos “Artmotion”, kishte konkurruar edhe “Kujtesa” dhe po ashtu një tjetër media. Kurse, “Digitalbit’ iu kishte pamundësuar konkurrimi për shkak se është subjekt i jashtëm (nga Shqipëria), ndonëse “Digitalbi” në tetë vjetët e fundit rresht e kishte të drejtën e transmetimit të futbollit kosovar. “Digitalb” ka paralajmëruar ankesë në gjykatë dhe UEFA, i bindur në parregullsi.

Përvoja nga e kaluara tregon se klubet mund ta “shkatërrojnë” procesin nëse fituesi është përcaktuar para hapjes së tenderit. Qysh në edicionin 2015-2016 të gjitha klubet ishin bashkë me FFK-në për t’ia shitur drejtat televizive “Digitalbit”. Por, vetëm FC Prishtina ishte kundër dhe e pakënaqur. Klubi më i madh kosovar ishte ndarë prej 11 klubeve tjera që ishin me “Digitalbin”, duke ia dhënë ndeshjet e saj Radio Televizionit të Kosovës. Dhe, FFK kishte mbetur si spektatore, duke mos arritur ta bindte Prishtinën t’u bashkohet 11 klubeve tjera në “Digitalb”. 

(Kosova Sot Online)