Ylli i Man Unitedit i përgjigjet kritikave të Mourinhos

  • G.G /
  • 02 September 2020 - 15:32
Ylli i Man Unitedit i përgjigjet kritikave të Mourinhos

Ylli i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, i është përgjigjur kritikave të Jose Mourinhos ndaj rekordit të tij në gjuajtjen e penalltive, duke nënvizuar se Kevin De Bruyne është lojtari i vetëm që ka statistikat më të mira se ai për përfshirje në gola.

Fernandes i shënoi 12 gola në 22 ndeshjet e para për Unitedit, të cilit iu bashkua nga Sporting CP në janar.

Ai i dhuroi edhe tetë asiste për skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer gjatë kësaj kohe, duke i ndihmuar ta zërë vendin e tretë në Premierligë.

Megjithatë, tetë prej 12 golave të tij erdhën nga pika e bardhë, në një sezon gjatë të cilit Unitedi i fitoi 20 penallti në të gjitha garat.

Unitedi vendosi rekord të ri për më së shumti penallti të fituara në ligën elitare angleze (14) dhe Mourinho, i cili ishte në stolin e Old Trafford nga viti 2016 deri më 2018, nuk ka mundur të durojë pa e ngacmuar Fernandesin kur është pyetur për ndikimin e tij në Manchester.

“Bruno erdhi, ishte me kondicion të mirë, luajti shumë mirë, e përmirësoi ekipin e Unitedit dhe po ashtu dëshmoi se është gjuajtës shumë i mirë i penalltive, ndër më të mirët në botë, sepse i kishte 20 sosh për t’i shënuar”, pati thënë trajneri i Tottenhamit në korrik.

Fernandes i është përgjigjur komenteve të Mourinhos tani, duke thënë: “Sinqerisht nuk ndihem i ngacmuar”.

“Ndiej se jam gjuajtës i mirë i penalltive dhe asgjë më shumë, e kuptoj, por ajo që e marr nga fjalët e Mourinhos, sepse jam person pozitiv, është ajo që ai tha se i godas shumë mirë penalltitë”, shtoi ai.

“I dëgjoj njerëzit duke thënë ‘ah, ai shënon vetëm nga penalltia’, por pak kohë më parë i pashë statistikat dhe, përjashtuar penalltitë, vetëm Kevin De Bruyne ka përfshirje më të lartë në gola në Angli sesa unë, sa i përket mesfushorëve”, nënvizoi ai. 

(Kosova Sot Online)