“Nuk ka shanse që Messi të vërshëllehet nga tifozët nëse qëndron në Barcelonë”

  • S.A /
  • 03 September 2020 - 15:46
“Nuk ka shanse që Messi të vërshëllehet nga tifozët nëse qëndron në Barcelonë”

Herë me një këmbë jashtë dhe herë me një këmbë brenda – vazhdon të mos dihet e ardhmja e Leo Messit.

Jorge Messi, babai i Lionel Messit, të mërkurën deklaroi se e sheh “të vështirë” qëndrimin në djalit të tij në Barcelonë. Por, 24 orë më vonë, pas takimit të dytë me Josep Maria Bartomeu, duket se gjërat janë qetësuar paksa.

Sipas ‘Mediaset’, me t’u largua nga zyret e Barcelonës pas takimit të enjten në mëngjes, Jorge Messi u tha gazetarëve se Leo ka shanse të qëndrojë, derisa AS e ka demantuar këtë nga burime të sigurta me futbollistin, duke raportuar se përgjigjja e babait të Messit ishte: “nuk e di”.

Momentalisht ata janë mbledhur në shtëpinë e Leos dhe së shpejti mund të merret një vendim për të ardhmen e Messit.

Sido që të jetë, Rivaldo, legjenda e Brazilit dhe Barcelonës, shpreson të qëndrojë, pasi sipas tij, kjo gjë do të kalonte dhe fansat do ta donin edhe më shumë, edhe pse me një tjetër futbollist – mund të kishte ndodhur e kundërta.

“Negociatat po vazhdojnë mes Lionel Messit dhe Barcelonës, lojtari dhe klubi po mundohen të arrijnë një marrëveshje për të ardmen e argjentinasit. Nëse Messi qëndron edhe një sezon, s’do të ishte aspak problem”.

“Tifozët ende kanë dashuri të madhe për të dhe e dinë se ai është lojtar legjendar që ende mund të bëjë diferencën për klubin, kështu që gjërat mund të përfundojnë ende mirë”.

“Shumë gjëra mund të ndodhin në javët e ardhshme, ai mund të largohet, mund të qëndrojë për një sezon apo edhe ta vazhdojë kontratën – por nëse qëndron në klub, nuk i imagjinoi fansat në ‘Camp Nou’ duke e vërshëllyer ose diçka të ngjashme, aspak”.

(Kosova Sot Online )