Sonte Holandë – Itali në Ligën e Kombeve

  • G.G /
  • 07 September 2020 - 13:19
Sonte Holandë – Itali në Ligën e Kombeve

Italia do të sfidojë Holandën në ndeshjen e dytë e të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, në një duel sa interesant po aq edhe të rëndësishëm, që përbën pa dyshim edhe takimin më të fortë sa u përket ndeshjeve që rezervon dita e hënë në UEFA Nations League.

Dy vendet ndodhen pranë e pranë në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Italia pozicionohet në vendin e 13-të, ndërsa Holanda një vend më poshtë, me vetëm 3 pikë më pak, sidoqoftë në ndeshjet hapëse portokallinjtë mundën Poloninë në kryeqytet, ndërsa “azzurri”-t dështuan për të mposhtur Bosnjë Hercegovinën, kështu që skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Mancini do të zbresë në fushë për të rrëmbyer patjetër një rezultat pozitiv.

Në Firenze u vunë re shenja të qarta nënvlerësimi dhe nga kjo gjë përfitoi në maksimum ekipi boshnjak, madje në Stadiumin “Artemio Franchi”, pas një pjese të parë të bllokuar, golin e parë të takimit e realizuan pikërisht miqtë, me anë të Edin Dzekos, ndërsa merita për golin e barazimit i takon mesfushorit të Interit Stefano Sensi, që siguroi të paktën 1 pikë për përfaqësuesen italiane, nga kjo ndeshje, në mesin e pjesës së dytë.

Të gjithë prisnin të shikonin në fushë golashënuesin më të mirë të Serisë A, por trajneri Roberto Mancini preferoi të rreshtojë Belottin në qendër, me dyshen Insigne – Chiesa anash, ndërsa veteranin Giorgio Chiellini e uli në stol. 55-vjeçari nga Marche preferoi ta hidhte në fushë Immobilen vetëm në 73’ dhe natyrisht në një fazë të tillë të ndeshjes ishte vërtet tepër e vështirë për 30-vjeçarin për të lënë shenjë në këtë takim.

Italia u ndal në këtë mënyrë pas plot 11 fitoreve radhazi, në një ndeshje ku “azzurri”-t u treguan të ngadaltë, të lexueshëm dhe të parrezikshëm, mjafton të kujtohet fakti që skuadra e Mancinit dërgoi në portë vetëm 4 nga 19 goditjet e tentuara. Në mënyrë të kuptueshme, në një periudhë të tillë të pazakontë për shkak të pandemisë së Koronavirusit, të gjitha skuadrat përfaqësuese janë duke vuajtur pasojat e mungesës së ndeshjeve në nivele të tilla prej një kohe të gjatë, gjë që reflektohet menjëherë si te aspekti fizik ashtu edhe te mungesa e harmonisë ndërmjet reparteve.

Me shumë gjasa trajneri Roberto Mancini e ka ruajtur Immobilen për takimin e Amsterdamit, duke patur parasysh që në këtë grup rivalët e tyre më të rëndësishëm do të jenë pikërisht “tulipanët”. “Azzurri”-t do të kërkojnë kështu fitoren e parë në një ndeshje kompetitive ndaj përfaqësueses së Holandës, pas afërsisht gjysmë shekulli, një mision tepër i vështirë duke parë ecurinë shumë të mirë të portokallinjve, që numërojnë 6 fitore në 7 sfidat e tyre të fundit.

Në edicionin hapës të Ligës së Kombeve, Holanda, nën drejtimin e trajnerit aktual të Barcelonës, Ronald Koeman, mbërriti deri në finalen e madhe të “Estadio Do Dragao”, ku “tulipanët” u mundën minimalisht 1-0 nga Portugalia, që ishte edhe vendi organizator, ndërsa Italia u eliminua që në fazën e grupeve, pikërisht nga përfaqësuesja luzitane.

Në takimin hapës Holanda, nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Dwight Lodeweges, fitoi me vështirësi ndaj Polonisë, falë golit të realizuar nga mesfushori i Tottenhamit Steven Bergwijn, gjithsesi ishte një ndeshje e dominuar nga fillimi në fund, ku bardhekuqtë ishin të shtrënguar për të luajtur pa kapitenin dhe sulmuesin e tyre kryesor Robert Lewandowski.

Takimi do të luhet në orën 20:45, përsëri në kryeqytet, në stadiumin “Johan Cruiyff Arena”, dhe do të drejtohet nga kryesori gjerman Felix Brych.

Një takim vërtet shumë i rëndësishëm për fatin e këtij grupi, duke patur parasysh që ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve do të kthehen pas një muaji, më saktë më datë 11 tetor. Holanda nuk do të ketë në prapavijë mbrojtësin e Interit Stefan de Vrij, ndërkohë te Italia do të mungojë Federico Bernardeschi. Italia ka një bilanc tepër pozitiv në statistikat e përgjithshme, me 10 fitore e vetëm 3 humbje në 21 sfidat ndërmjet tyre, e fundit pikërisht në Evropianin e 2008 ku portokallinjtë asokohe i dhanë fund pritjes së tyre 30-vjeçare për të mposhtur “azzurri”-t.

Kurioz është fakti që të vetmen fitore në kohën e rregullt në ndeshje kompetitive në sfidat mes tyre Italia e ka regjistruar në Stadiumin Olimpik të Romës, 45 vjet më parë, kur golin e fitores në ndeshjet eliminatore për Europianin e 1976 për skuadrën e drejtuar nga trajneri i famshëm Enzo Bearzot e shënoi Fabio Capello.

Nga ndeshjet e famshme spikat eliminimi i Italisë në vitin 1978 nga Kupa e Botës, pas një goli spektakolar nga distanca të mesfushorit Arie Haan, ndërsa në vitin 2000, në Europianin që Holanda organizoi vetë bashkë me Belgjikën, Italia u kualifikua në mënyrën më dramatike të mundshme, teksa në inferioritet numerik pas daljes së Zambrottas pas gjysmë ore lojë, i rezistoi furisë së vendasve, që asokohe drejtoheshin nga trajneri Frank Rijkaard.

Një duel tepër i ashpër, ku portokallinjtë shpërdoruan dy 11 metërsha brenda kohës së rregullt me Frank de Boer dhe Patrick Kluivert, e ku në fund ishte pikërisht Italia që u kualifikua për në finale, pas goditjes së penalltive dhe pritjeve heroike të portierit Francesco Toldo.

Po për Grupin e Parë të Divizionit Elitar në UEFA Nations League në stadiumin “Bilino Polje” të Zenicës Bosnjë Hercegovina do të presë Poloninë, me këto dy skuadra përfaqësuese që përballen për herë të parë ndërmjet tyre në një takim kompetitiv.

(Kosova Sot Online)