Ujkani: Nuk ishte rezultati që donim, së bashku do ta ngrisim vendin tonë

  • E.K /
  • 08 September 2020 - 15:55
Ujkani: Nuk ishte rezultati që donim, së bashku do ta ngrisim vendin tonë

Portieri kosovar ka mbetur i zhgënjyer me humbjen nga Greqia. Mirëpo, kapiteni i “Dardanëve” beson se ai me shokë do të mundohen ta ngrisin vendin e tyre

Humbja nga Greqia e ka lënë një shije të hidhur në ekipin kombëtar të Kosovës.

Humbjen 1:2 në stadiumin “Fadil Vokrri” po e vajton ende Samir Ujkani, i cili ishte titullar në këtë takim.

Sidoqoftë, portieri i Torinos beson se ai me shokë mund të rikthehen furishëm para sfidave të radhës për ta ngritur sa më lartë vendin e tyre.

Veterani i portës e ka bërë një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit i ka motivuar shokët e skuadrës dhe iu ka dhënë vullnet dhe optimizëm bashkëkombësve të tij.

“Nuk ishte rezultati që donim. Të gjithë jemi bashkë për vendin tonë. Së bashku jemi më të fortë”, ka shkruar ish-portieri i Palermos.

Kosova kishte paraqitje të zbehta në ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve duke barazuar fillimisht me Moldavinë 1:1 në Parma të Italisë, ndërsa më pas u mund nga Greqia në shtëpi, 1:2. 

(Kosova Sot Online)