Real Madridi zemërohet seriozisht me Eden Hazardin

  • S.A /
  • 09 September 2020 - 09:45
Real Madridi zemërohet seriozisht me Eden Hazardin

Real Madridi është tërbuar pse Eden Hazardi ka udhëtuar drejt Belgjikës për ta përfaqësuar ekipin e vet kombëtar në ndeshjet e Ligës së Kombeve këtë muaj, edhe pse ai nuk u paraqit në asnjërën prej tyre.

Duke qenë se sezoni i ri në La Liga është buzë fillimit, Madridi nuk kishte dashur që Belgjika t’i ftonte Hazardin dhe portierin Thibaut Courtois për dy ndeshjet e këtij muaji.

Derisa Courtois u kthye në Madrid të premten, për t’i vazhduar përgatitjet për sezonin e ri, Hazard qëndroi me ekipin belg por nuk e luajti asnjë minutë lojë në ndeshjet kundër Danimarkës të shtunën dhe kundër Islandës të martën.

Kjo e ka zemëruar Real Madridin, sipas mediave spanjolle.

Hazard kishte menduar ta refuzonte thirrjen e Belgjikës fillimisht, pasi e kishte parë se Luka Modric dhe Martin Odegaard kishin vendosur të mos iu bashkoheshin ekipeve të veta kombëtare, Kroacisë dhe Norvegjisë, përkatësisht.

Por ai u bind nga trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, i cili i kishte thënë se lojtarët kishin nevojë për frymëzimin e tij dhe se paraqitja në ndeshje garuese do të ishte mënyra më e mirë për t’u përgatitur për sezonin e ri.

Por duke e parë historinë e lëndimeve të tij dhe faktin se ai mbërriti në Belgjikë të premten, vetëm 24 orë para ndeshjes së parë, mundësia që ai të luante nisi të shuhet.

Por pavarësisht kësaj, ai udhëtoi drejt Kopenhagës. Hazard, le që nuk luajti, por as nuk u thirr për të bërë ngrohje kundër Islandës të martën.

Udhëtimi i tij me ekipin kombëtar u pa si humbje kohe.

(Kosova Sot Online )