Hakimi: Zgjodha Interin sepse ka një trajner që stërvit...

  • E.K /
  • 09 September 2020 - 18:51
Hakimi: Zgjodha Interin sepse ka një trajner që stërvit...

Anësori maroken Achraf Hakimi ishte blerja e parë e Interit për sezonin 2020-2021, pasi zikaltrit vendosën të paguajnë 40 milionë euro në arkat e Realit të Madridit në fillim të muajit qershor.

Mbrojtësi i cili spikati në dy sezonet e fundit te Borussia e Dortmundit, ku ishte në huazim, po stërvitet prej disa ditësh në Milano, ndërsa sot ka dhënë edhe intervistën e parë si futbollisti i Interit.

Pse zgjodhët Interin dhe çfarë prisni nga ky sezon?
Zgjodha Interin sepse ka një trajner që stërvit në të një mënyrë që më përshtatet shumë dhe mendoj se kjo ka shumë rëndësi. Duam të realizojmë objektiva madhorë dhe do të provojmë të fitojmë titullin kampion.

Çfarë mendon për Antonio Conten?
Është një trajner i madh, me shpirt konkurrues dhe pasion të madh për futbollin. Shpirti i garës që të transmeton, është shumë motivues dhe të bën të qëndrosh i përqendruar gjatë gjithë ndeshjes.

E sheh veten si pasardhësi i Maicon?
Maicon ishte vërtetë një futbollist impresionues, me një fizik për t’u amiruar. Shpresoj që të bëj po aq mirë sa ai dhe të krijoj legjendën time këtu, që pas disa vitesh të kujtohem edhe unë si Maicon.

Eksperienca në Bundesligë ishte e rëndësishme për ju?
Sigurisht, pasi ishte një mundësi për të luajtur çdo javë dhe për t’u përmirësuar si në planin individual, ashtu edhe atë ekipor.

E njeh tashmë Milanon?
Jo të gjithën, por kam mësuar disa restorante dhe mund të them se ushqimi është shumë i mirë. Njerëzit më pëlqejnë shumë dhe besoj se do të ndihem shumë mirë në këtë qytet.

Cili ka qenë momenti më i bukur në karrierën tuaj?
Fitorja e Ligës së Kampionëve me Realin e Madridit, pasi ishte diçka që e ëndërroja prej vitesh. Pastaj edhe pjesëmarrja në Kupën e Botës me Marokun.

Kush ka qenë idhulli juaj në futboll?
Marcelo, e kam thënë gjithmonë. Karakteristikat dhe mënyra e tij e lojës më kanë frymëzuar gjithmonë. Kam pasur fatin ta njoh nga afër dhe të punoj krah tij, ndaj mund të them se është një njeri dhe futbollist i madh.

Në çfarë pozicioni ndihesh më mirë në fushën e lojës?
Preferoj të luaj në krah, por gjithonë vendos trajneri. Unë jam lloji i lojtarit që bëj gjithçka për të ndihmuar skuadrën, pavarësisht se roli i preferuar është ai i anësorit.

Si ka qenë të luash kundër Interit në “San Siro”?
Diçka fantastike. Ambienti dhe tifozët ishin të mrekullueshëm. Tani dua ta shijoj këtë ndjesi si pjesë e Interit.

A ka një futbollist të Interit që e keni admiruar?
Samuel Eto’o, ndonëse nuk luan në të njëjtin rol si unë. Është një pikë referimi, pasi është afrikan si unë dhe ka bërë historinë në futboll.

Si mendon se mund të përshtatesh me skemën 3-5-2 të Contes?
Mendoj se do të bëj mirë, pasi me këtë rreshtim kemi luajtur shpesh sezonin e fundit te Borussia. Jam gati të jap kontributin tim në skuadër.

Njeh futbollistë të Interit?
Po, sepse kam ndjekur shumë ndeshje të skuadrës këtë sezon, por kam ndjekur me vëmendje edhe Interin që fitoi Championsin në 2010-ën. Kishte një skuadër inspiruese dhe për t’u marrë shembull. Mendoj se njoh shumë futbollistë.

Çfarë menduat kur erdhi oferta e Interit?
Mendova se është një tjetër mundësi e mirë për t’u rritur edhe më shumë. Interi është një skuadër historike, me tifozë që e përjetojnë futbollin në një mënyrë vërtetë speciale. Ishte një hap më shumë për karrierën time dhe mendoj se nuk kam gabuar, pasi Interi është një klub i madh, me një super ambient përreth.

Me cilën skuadër bëni tifo?
Me Realin e Madridit sepse kam shkuar atje që kur isha 7 vjeç dhe jam rritur e jam bërë futbollist edhe falë atij klubi.

Cilat janë objektivat tuaja këtë sezon?
Dua që të fitojmë kampionatin, që i mungon skuadrës prej shumë vitesh, por të bëjmë sa më mirë edhe në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu në aspektin personal dua të përmirësoj sa më shumë statistikat.

Derbi vjen shumë shpejt. Çfarë prisni nga ajo ndeshje?
Që të fitojmë sigurisht. Dua që Milanoja të jetë gjithmonë e jona, zikaltër.

Keni një mesazh për tifozërinë zikaltër?
Jam këtu për të dhënë më të mirën dhe për t’i bërë të lumtur. Shpresoj që të bëjmë gjëra të mëdha së bashku dhe të fitojmë tituj.

(Kosova Sot Online)